Nis nesër rehabilitimi i Unazës së Fierit – Si do të devijohet trafiku
Ndërhyrjet për rehabilitimin e unazës së Fierit do të nisin ditën e nesërme. Konkretisht, do të kryhen punime në segmentin nga rotondo ish parku, rruga “Vëllezërit Semanjaku, rruga “Nuredin Aliu” deri te rotondo ish QTU (Qendra GOLD) Fier.
Në këtë kuadër, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit rrugor kanë hartuar një plan të devijimit të trafikut me qëllim shmangien e bllokimit të qarkullimit rrugor.
Hyrje Fier – Dalje Fier
Devijimi i trafikut në drejtimin Fier – Levan (Vlorë, Gjirokastër) dhe anasjelltas fillon në orën 06:00 datë 14.06.2018
Lëvizja e automjeteve në drejtimin Tiranë –Levan, do të devijohet në hyrje të qytetit të Fierit, në sheshin Egnatia (ose Rreth Rrotullimi Sheq), më pas do të vijojë në rrugën Skënderbeu, në rrugën Harilla Bozdo, Stacioni i Trenit (Terminali), Rr. Llukan Toska dhe do të kthehet në rrugën Kujtim Majaci për tu lidhur përsëri me rrugën nacionale (Unaza Perendimore e Fierit)
Automjetet që do të vijnë nga Vlora dhe Gjirokastra drejt Tiranës do të kthehen majtas në rrugën Kujtim Majaci dhe do të levizin në po të njëjtin drejtim si më lart deri në Rreth rrotullimin Sheq ku lidhen përsëri me rrugën nacionale.
Ndërkohë, pas përfundimit të këtij segmenti, do të nisë ndërhyrja edhe në segmentet e tjera për të cilat ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor do të përditësojnë skemat e lëvizjes dhe informojnë opinionin publik.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.