Nis programi PAMECA V – BE financon 6 milionë euro asistencë për Policinë e Shtetit
Nis zbatimi i programit PAMECA V, i Misionit të Bashkimit Europian, dedikuar ndihmës dhe asistencës për Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë. Në fjalën e tij Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, vlerësoi rolin e rëndësishëm që PAMECA ka luajtur me asistencën e saj në hartimin e Dokumentit Politik të Prioriteteve të Ministrisë së Brendshme.
“Në vijim, për jetësimin e këtij dokumenti dhe rekomandimeve të mësipërme, u konceptua dhe nisi puna për Operacionin “Forca e Ligjit”. Puna që është bërë për përgatitjen e bazës ligjore dhe operacionale, pa të cilën do të kishte qenë e pamundur nisja e Operacionit “Forca e Ligjit”, është edhe kontribut i një asistence të nisur që më herët, nga grupi i partnerëve ndërkombëtarë. PAMECA natyrisht ka qenë pjesë aktive e çdo tryeze konsultimesh, teksa kemi vlerësuar dhe reflektuar komentet mjaft të vlefshme të saj të dërguara në nëntor 2017, mbi draft-planin e veprimit. Vlerësoj gjithashtu kontributin e ekspertit të PAMECA-s pranë Task Forcës Speciale lidhur me përgatitjen e bankës së pyetjeve të nevojshme, lidhur me procesin e rekrutimit të ekspertëve të Task Forcës Speciale” tha ministri Xhafaj.
Duke u ndalur tek lufta ndaj krimit të organizuar, ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin deklaroi se ky është një fenomen që nuk njeh kufij dhe për këtë duhet të punojmë të gjithë bashkë.
” Në 2017-n, ne kemi parë për herë të parë një rënie drastike të prodhimit të kanabisit, por ne presim raportin e Guardia di Finanza në verën që vjen, në mënyrë që të sigurohemi që fitorja të jetë afatgjatë. Ne gjithashtu kemi parë një numër operacionesh të suksesshme policore në Shkodër, Fier, Lezhë dhe qytete të tjera që kanë goditur grupet kriminale. Ne po shohim më në fund më shumë vendosmëri në konfiskimin e aseteve kriminale. Dhe unë besoj se ky është vetëm fillimi, që përfundimisht duhet të forcohet dhe të ndiqet nga operacione të ashpra, që duhet të godasin interesat kyçe të krimit”, nënvizoi diplomatja e BE-së
Drejtori i Marrëdhënieve Juridike me Autoritetet e Huaja në Prokurorinë e Përgjithshme, Arqile Koça pohoi se prioritet mbetet rikthimi i besimit të qytetarëve tek institucionet ligjzbatuese.
“Përtej angazhimit të vazhdueshëm të gjithë bashkë kemi konstatuar se institucionet ligjzbatuese kanë nevojë për përmirësimin e kapaciteteve njerëzore, ashtu edhe ato në lidhje me infrastrukturën dhe teknologjinë, për t’iu përgjigjur me efikasitet dhe pa kompromis luftës kundër grupeve kriminale dhe trafiqeve ndërkombëtare. Institucioni i Prokurorisë shpreh vullnetin dhe angazhimin maksimal në përmbushje të objektivave të punës tuaj, pasi ne jemi të bindur se ato konvergojnë me objektivat tona” tha Koça.
Bashkimi Evropian investon 6 milionë euro vetëm për misionin PAMECA V ndërkohë që Agjencitë e specializuara të BE janë duke rritur bashkëpunimin me Shqipërinë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.