Nis rindërtimi në Farkë, Rama: Qytetarët do të kënë shtëpitë e tyre brenda vitit
Nis rindërtimi i banesave individuale në Farkë pas tërmetit të 26 nëntorit. I pranishëm në nisje të fazës së parë, me 200 shtëpi, ishte Kryeministri Edi Rama dhe kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Rama garantoi se shumica e qytetarëve brenda vitit do të kenë shtëpitë e tyre të cilat po ndërtohen sipas kryeministrit, me standarte shumë herë më të larta, në një hapësirë komunitare me të tjera mundësi, shërbime dhe cilësi jete.
“Kjo është një ditë e shënuar, sepse më në fund , pasi janë bërë të gjithë konstatimet, verifikimet, riverifikimet e ankesave , planifikimet, projektimet, prokurimet, fillojmë vendosim tullat, muret, fillojmë të hapim segmentin e fundit të rrugës së rindërtimit. Dua t’u them të gjithë familjeve që sot jetojnë ende në çadër, që sot janë ende në shtëpi me qira, këtu nga kjo pikë e Tiranës që nëse këto familje do të hyjnë në shtëpitë e tyre shumë shpejt, me siguri, deri në 26 nëntor , shumë e shumë të tjerë do jenë në shtëpitë e tyre, për ta kujtuar këtë vit si një vit i cili ndryshon jetën e tyre, pasi do jenë në shtëpi shumë më të mira, më të forta, me kushte absolutisht të tjera dhe do jenë në zonat, ku ndërtimi do të bëhet si një lagje e re, në një hapësirë komunitare, me krejt të tjera mundësi, shërbime e cilësi jete” – theksoi kryeministri.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ndal tek kontratat e lidhura dhe puna intensive për ndërtimin e banesave të reja .
“Jemi tek 53 shtëpi që u është lidhur kontrata; 20 shtëpi që janë 3+1; 20 shtëpi të tjera që janë 2+1 dhe pastaj kemi 13 shtëpi që janë 1+1 që janë familje më të vogla. Afatin e ka për 8 javë. Do vijojmë me këtë ritëm deri sa t’i mbarojmë këto 53, që është vetëm loti i parë”, tha Veliaj.
Veliaj shtoi se për sa i takon granteve për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara, në Farkë janë 280 shtëpi me dëme nga DS1 në DS3 dhe ka filluar shpërndarja e lekëve për 122 shtëpi.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.