Nis rruga e Censit – Aktiviteti më i rëndësishëm statistikor i dekadës
Instituti i Statistikave zhvilloi të premten konferencën hapëse të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2020. Drejtorja e komanduar, Elsa Dhuli, tha se Censi do të jetë aktiviteti më i rëndësishëm statistikor dhe pritet të grumbullojë të dhëna jetike për treguesit demografikë, socialë dhe ekonomikë. Në këtë mënyrë, Censi do të jetë baza kryesore për hartimin e politikave të mbështetura në shifra.
Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, tha se informacionit i Censit do të jetë baza edhe për vlerësimin e Shqipërisë në procesin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.
Censi i vitit 2020 do të jetë i trembëdhjeti i organizuar në Shqipëri, afërsisht një shekull pas regjistrimit të parë të pjesshëm që u krye nga ushtria austro-hungareze, në zonën e saj të pushtimit, në vitin 1918. Pas përpunimit të rezultateve, do të krijohet për herë të parë një bazë me të dhënat historike të Censeve, ndërsa Censi do të jetë baza edhe për ndërtimin e regjistrave statistikorë të Popullsisë, Ndërtesave dhe Banesave në Shqipëri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.