Nis shpronësimi në Laprakë – Rreth 155 milion lekë për përfituesit që preken nga projekti “Rehabilitim i fushës sportive Laprakë’

Nëpërmjet një njoftimi të publikuar në Fletoren Zyrtare është bërë me dije se Këshilli i Ministrave ka vendosur shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i fushës sportive Laprakë’
Me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi:
Shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i fushës sportive Laprakë”, Tiranë. Ky shpronësim bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, në shumën e përgjithshme prej 155 595 496 (njëqind e pesëdhjetë e pesë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 155 595 496 (njëqind e pesëdhjetë e pesë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
Vlera për shpenzimet procedurale, prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, të përballohet nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në Fletoren Zyrtare dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.