Nis vaksinimi i punonjësve të fasonerive – Përfshihen 60 mijë vetë, Manastirliu: Prioritet, të moshuarit dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese

Punonjësit e fasonerive janë kategoria e radhës, për të cilët ka nisur procesi i vaksinimit për COVID-19. Në total janë 60 mijë punonjës të këtij sektori, ndërkohë që sipas ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fillim do të vaksinohen më të moshuarit dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese.
“Fillojmë sot vaksinimin nëpër fasoneri. Aktualisht kemi filluar vaksinimin sipas një liste, të cilën na e ka dhënë kryesia e gjithë fabrikave me materiale përpunuese. Janë rreth 60 mijë punonjës, por ne kemi vendosur kriteret e para për vaksinimin, që është kriteri i moshës dhe sëmundshëmrisë. Sot kemi filluar në fasoneri, por me listat në vijim, do të fillojmë edhe në qendrat tona të vaksinimit të përqendruar, për të mos ndërprerë procesin e punës por ndërkohë për të siguruar mbrojtje për të gjithë punonjësit”, është shprehur Manastirliu.
I pranishëm në nisjen e vaksinimit të kësaj kategorie ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se me procesin e vaksinimit antiCOVID në fasoneri, të gjitha gratë do të sigurojnë mbrojtje për shëndetin e tyre. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në total deri tani janë kryer 383.008 doza vaksine antiCOVID-19, prej të cilave mbi 296 mijë doza për personat mbi 60 vjeç, ndërkohë që ka përfunduar vaksinimi me disa prej kategorive të punonjësve të shërbimeve kritike, si bluzat e bardha, arsimtarët, uniformat blu apo punonjësit e medias. Ndërkohë që, vijon vaksinimi për qytetarët +60 vjeç, punonjësit dhe shërbimeve hoteliere.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.