Nis Vetting-u në Hipoteka – Zbardhen fizikisht dosjet e gjyqtarëve e prokurorëve nga dy grupe pune
Zyra e Hipotekave ka nisur verifikimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë në kuadrin e Vetting-ut. Procesi parashikon verifikimin fizik të dosjes së pasurisë së çdo personi të përfshirë në Vetting, si dhe të personave të lidhur me ta.
SCAN ka zbardhur se, për verifikimin e dosjeve në fjalë do të punojnë paralelisht dy grupe. Grupi i parë përbëhet nga specialistët e vetë Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive. Ky grup e nis punën në orën 15:00 për të vazhduar deri në orën 17:00. Grupi i dytë përbëhet nga specialistët që po asistojnë Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në dixhitalizimin dhe përditësimin e të dhënave kadastrale në gjithë vendin.
Është mësuar se ky grup do të punojë dhe për zbardhjen e pronave të gjyqtarëve në orarin 16:00-20:00 si dhe do të aktivizohet gjithashtu në fundjavë. Falë një marrëveshjeje, këto grupe do ta asistojnë Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive për verifikimin e dosjeve pa asnjë pagesë shtesë. Procesi i Vetting-ut parashikon zbardhjen e pasurive reale të të gjithë gjyqtarëve e prokurorëve.
Rezultati i verifikimit fizik të dosjeve do të krahasohet me të dhënat që kanë paraqitur në ILDKPI gjyqtarët e prokurorët. Në janar të këtij viti, Hipoteka ka dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, shkresat dhe dokumentet për pasurinë që kanë të gjithë ata që janë subjekt i procesit të Vetting-ut. Në dosje përfshihen edhe pasuritë e familjarëve të afërt: bashkëshortët dhe fëmijët.
Pas përfundimit të këtij procesi, Hipotekës ju dorëzua një liste e dytë nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, e cila në përmbajtje të saj kishte një numër më të madh subjektesh që do të kontrollohen e që janë të afërm të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Lista e dytë do të jetë baza që do të merret parasysh në kontrollin e pasurisë që do t’u bëhet personave të sistemit të drejtësisë. ILDKP do të kontrollojë të dyja datat nëse ka apo jo ndryshime dhe transferimeve të muajve të fundit të pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.