Nis viti shkollor – Rama, Basha dhe Veliaj urojnë nxënësit
Nxënësit e arsimit 9- vjeçar dhe të mesëm janë ulur për herë të parë në bankat shkollore për të nisur vitin mësimor 2021-2022, pas vështirësive të shumta me të cilat u përballën vitin që kaloi për shkak të pandemisë COVID-19. Kryeministri Edi Rama ka uruar nxënësit për një vit të suksesshëm. “Me zilen e parë që bie për disa nga shkollat më të reja të rindërtuara pas tërmetit, uroj përzemërsisht çdo nxënës që nis sot vitin e ri shkollor, shumë suksese e mbarësi në këtë rrugëtim të bukur dijeje për të ardhmen”, shkruan Rama.
Po ashtu, edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dha një mesazh urimi për nxënësit. “Urime të përzemërta nxënësve dhe mësuesve, anembanë Shqipërisë në nisjen e këtij viti shkollor! Urime prindërve që përmes punës dhe sakrificave ushqejnë ëndrrat dhe ambiciet e fëmijëve të tyre! Urime vogëlushëve që plot emocione ulen për herë të parë në bankat e shkollës, në hapjen e një kapitulli të rëndësishëm për jetën e tyre dhe gjithë shoqërisë sonë! Edhe ky vit i ri shkollor do të jetë sfidues për shkak të pandemisë, ndaj kujdesi nuk duhet të mungojë për të mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit dhe të familjeve tuaja. Suksese të gjithëve”, shkruan Basha.
Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zgjedhur t’i urojë nxënësit përmes një letre publike. Veliaj i inkurajon për një vit të suksesshëm mësimor dhe ndan me ta dhe disa prej sfidave dhe arritjeve në qytetin e Tiranës.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.