Nis zgjerimi shkollës “Isa Boletini” – Veliaj: zonat në periferi, fokus në dy vitet e ardhshme

Shkolla 9-vjeçare “Isa Boletini”, në Kodër Kamëz, i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë. Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë për t’i shtuar edhe 17 klasa të reja, për t’i dhënë fund mësimit me dy turne.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka inspektuar punimet duke u shprehur se investimi është afatgjatë dhe planifikon rritje të numrit të nxënësve në këtë shkollë për vitet e ardhshme.
“Më në fund shkolla “Isa Boletini” do të çlirohet nga makthi i klasave me dy turne sepse zona është transformuar. Fatmirësisht është ruajtur integriteti i pronës së shkollës, një territor i cili ka qenë ndër vite i lakmuar. Ka ndërtime informale gjithandej rreth e rrotull, por tani që kemi ruajtur integritetin e shkollës do të shfrytëzojmë hapësirat brenda saj për të shtuar klasat. Praktikisht po ndërtojmë një shkollë të dytë sepse shtesa është me 17 klasa, ndërkohë që 15 klasa bëjnë turnin e dytë. Kështu, jo vetëm që kemi hapësira për ata që e bëjnë mësimin turnin e dytë, por kemi edhe për të ardhmen, me shtesat që mund të vijnë nga rritja e popullsisë së zonës dhe nxënësve që do të regjistrohen në këtë shkollë”, tha ai.
Duke u ndalur te investimet në dy vitet e ardhshme, ai shtoi se fokusi do të jetë përmirësimi i infrastrukturës në zonat në periferi të kryeqytetit. Veliaj kërkoi bashkëpunimin e banorëve për të liruar vullnetarisht hapësirat e zëna pa leje ndër vite duke penguar zhvillimin.
“U bëj thirrje të gjithë atyre banorëve të cilët kanë zaptuar dhe ndërtuar pa leje në territore të institucioneve sociale, siç është rasti konkret i kopshtit, që do të lirohet së shpejti për të filluar punën, ta bëjnë këtë pa ardhur fadromat e bashkisë. Për të gjitha hapësirat ku legalizimi është në fuqi, do të respektojmë ligjet e këtij vendi, do ndihmojmë qytetarët të legalizohen, ta bëjnë falas, por për ato hapësira ku kërkohet legalizim brenda në çerdhe, në kopësht, besoj që para se të ulërasim ku është shteti, duhet të themi: Ne çfarë bëjmë si qytetarë? Ndaj edhe besoj që të gjithë qytetarët janë me bashkinë në këtë rast”, u shpreh Veliaj.
Investimi për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Isa Boletini” parashikon ndërhyrje në godinën ekzistuese, zgjerimin e saj dhe krijimi i hapësirave sportive. Godina do të ketë sistem ngrohje me pelet dhe do të bëhet sistemimi i ambienteve të jashtme të shkollës.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.