Nishani takon Thaçin – “Situata politike nuk e ndihmon integrimin”

Situata politike në Shqipëri dhe në Kosovë nuk e ndihmon integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian.
Gjatë një vizite në Kosovë, Presidenti Bujar Nishani zhvilloi një takim me homologun e tij të Kosovës Hashim Thaçi, ku theksuan se politika duhet t’i vijë në ndihmë procesit integrues, por edhe në këto kushte, nuk e pengon atë.
“Kjo situatë që kemi aktualisht në Shqipëri nuk është se e ndihmon përshpejtimin e procesit, por unë jam i bindur se nuk do ta ndalojë procesin, sepse ai është një përcaktim i shumicës dërmuese të qytetarëve shqiptarë. Nuk është zgjedhje e politikanëve dhe përderisa nuk është zgjedhje e tyre, por është reflektim i politikanit për shkak të përcaktimit qytetar, natyrisht se çdo vështirësi do të tejkalohet dhe do të ecim në proceset e integrimit”, tha Nishani.
“Sa më tepër që të kemi politikë të konsoliduar, institucione të konsoliduara dhe efektive, institucione të reformave demokratike rruga do të jetë edhe më e shkurtër. Natyrisht se Shqipëria është më përpara. Ne jemi në një proces të rëndësishëm: atë të liberalizimit të vizave. E theksoj edhe sot publikisht se Kosova ka përmbyllur suksesshëm dhe me një vlerësim shumë të lartë nga BE-ja implementimin e të gjitha kritereve për liberalizim të vizave”, tha Thaçi.
Shqipëria dhe Kosova aktualisht ndodhen në një situatë delikate politike, pasi në vendin tonë opozita kërkon qeveri teknike, duke mos pranuar të hyjë në zgjedhjet e 18 Qershorit, ndërsa në shtetin fqinj një ditë më parë u rrëzua qeveria.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.