Nisin emërimet në Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI – Ja cilët janë drejtorët e rinj për Vlorën dhe Durrësin

Pas konkursit të zhvilluar në drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t ka nisur emërimi në detyrë i kandidatëve fitues.
Në një njoftim të publikuar nga ALUIZNI thuhet se në të gjitha Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t ka nisur procesi i “dorëzimit të stafetës”.
Ky proces ka nisur dje në Drejtorinë Rajonale Durrës, me prezantimin e drejtorit të ri Arben Isaku, i cili zëvendëson në këtë detyrë Flamur Gjuzin. Gjithashtu në faqen e ALUIZNI-t bëhet një prezantim i shkurtër për drejtorin e ri, Arben Isaku, ku thuhet se është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Piemontes, Itali.
“Përgjatë viteve të fundit Drejtoria Durrës ka mbuluar një prej Qarqeve me më shumë problematika në procesin e legalizimit dhe ja ka dalë të jetë ndër drejtoritë pararojë në mbarëvajtjen e procesit. Mjafton të kujtojmë këtu se ekipi durrsak ja doli të kryejë legalizimet për 25.500 objekte, duke u renditur kështu i dyti në rang vendi. Gjejmë rastin këtu që, në emër të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Drejtorisë së Përgjithshme, të falënderojmë drejtorin Flamur Gjuzi për punën dhe kontributin e tij të deritanishëm”, thuhet në njoftim.
Nesër ky proces do të vijojë me drejtorinë Rajonale Vlorë, ku do të prezantohet drejtori i ri z. Adrian Musta, i cili është diplomuar për inxhinieri ndërtimi.
“Pas festave të fundvitit procesi i emërimit të drejtorëve të rinj do të vijojë edhe me drejtoritë e tjera rajonale në të gjithë vendin”, thuhet në njoftimin e ALUIZNI-t.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.