Nisin inspektimet për udhërrëfyesit turistikë – ISHMT përsërit paralajmërimin për gjoba

Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka nisur këtë muaj inspektimet për të kontrolluar nëse neni 61 për udhërrëfyesit turistikë të huaj është duke u zbatuar.
Kontrolli u shtri në të gjithë territorin e vendit, duke u fokusuar tek zonat me përqendrimin më të madh të turistëve të huaj, si kështjellat dhe muzetë e vendit, parqet arkeologjike, si edhe monumentet historike dhe kulturore.
Nga verifikimi në terren u konstatua se ligji po gjen zbatim në të gjithë vendin dhe se udhërrëfyesit aktivë momentalisht janë vetëm ata të cilët janë licencuar pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Sipas të dhënave të kësaj ministrie, janë rreth 199 udhërrëfyes turistikë të certifikuar të ndarë në tre kategori: udhërrëfyes kombëtarë, lokalë dhe të specialiteteve të veçanta të cilët operojnë në vendin tonë.
Inspektimet janë zhvilluar edhe në zonat e kalimit kufitar si Hani i Hotit, Muriqani, Kapshtica dhe Qafë Thana, ku grupet e ISHMT kanë afishuar edhe njoftime me rregullat që udhërrëfyesit e huaj duhet të zbatojnë në Shqipëri.
Njoftimet janë vendosur edhe në pikat e nxehta të turizmit, si në kështjella, muze, parqe, por dhe në strukturat akomoduese, të cilat kanë frekuentim nga turistë të huaj, si në qytetet Shkodër, Lezhë, Gjirokastër, Sarandë, Berat, Pogradec, Korçë, Vlorë, etj.
Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut lajmëron se inspektimet e para ishin të karakterit informues e paralajmërues, por në kontrollet në vijim për subjektet në shkelje të ligjit do të aplikohen gjobat përkatëse.
Udhërrëfyesit e huajt që ushtrojnë këtë veprimtari, pa qenë të shoqëruar nga një udhërrëfyes turistik të certifikuar, do të dënohen me një gjobë prej 150 mijë lekësh.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.