Nisin punimet në autostradën Tiranë-Durrës, si do devijohet qarkullimi i automjeteve
Segmenti Qafë Kashar-Vorë është bllokuar këtë të hënë. Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore kanë filluar ndërhyrjen emergjente për riparimin e shtresave asfaltike në aksin Qafë Kashar – Durrës dhe Durrës-Qafë Kashar. Ndërhyrja për gjithë autostradën në dy senset pritet të realizohet gjatë muajit Qershor.
“Do ndërhyhet në 31 metra katror, pjesa më e rëndësishme Kashar-Durrës, do të përfundohet brenda qershorit. Brenda dy javësh është e mbyllur. Për sezonin turistik që nis realisht në korrik rruga të jetë funksionale”, tha kreu i ARRSh-së, Afrim Qendro.
“Fillojmë ndërhyrjen në një segmentet më të rënduara, më problematike të rrugëve kombëtare shqiptare. Për shumë vite kjo autostradë nuk ka pasur mirëmbajtjen e duhur. Kjo është një ndërhyrje emergjente, pra për të përballuar fluksin dhe për të eliminuar të gjitha problematikat që janë shfaqur ndër vite. Kontrata e mirëmbajtjes me bankën botërore prej 1300 kilometra rrugë ka pasur problemet e veta të trashëguara. Dhe gjatë gjithë këtyre muajve ne kemi përgatitur të gjitha planet e duhura, dhe zgjidhëm të gjitha ngërçet kontraktuale dhe administrative që kishim mes këtij projekti që ishte gati të dështonte. Por sot jemi në fazën që ky projekt do të fillojë dhe do të zhvillohet në mënyrë intensive”, deklaroi ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.
Devijimi i qarkullimit të automjeteve
ARRSH dhe Policia Rrugore u kërkojnë drejtuesve të mjeteve sa vijon:
- Lëvizja e mjeteve të rënda në drejtim të veriut duhet të bëhet përmes Kamzës nga rreth rrotullimi Casa Italia.
- Autoveturat që shkojnë në drejtim të Durrësit do të përdorin daljen tek pika e furnizimit Kastrati dhe mbikalimin për Kashar në drejtim të Vorës.
- Drejtuesit e mjeteve që kanë si destinacion jugun, duhet të përdorin drejtimin nga Elbasani si dhe kthimin për Tiranë të përdorin sërish drejtimin nga Elbasani.
- Mjetet me kalim nga Rinasi drejt Durrësit duhet të përdorin rrugën dytësore Qafë Kashar-Vorë (300 m përpara mbikalimit të Kasharit) ose në drejtim të aksit Rinas-Vorë në drejtim të doganës.
- Në mënyrë të veçantë drejtuesit e mjeteve që përdorin segmentin Tiranë-Durrës dhe kthim duhet të përpiqen të zgjedhin drejtime alternative sipas udhëzimeve që do të jepen në vazhdimësi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.