Nisin punimet për aeroportin e Vlorës – Rama: Do të ketë një menaxhim të nivelit të lartë nga aeroporti i Mynihut

Gjatë ditës së sotme është njoftuar nisja e punimeve për Aeroportin e Vlorës, ku të pranishëm kanë qenë Kryeministri Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku si dhe ndërtuesi Behgjet Pacolli.
Nisja e punimeve është menduar që në mënyrë simbolike të nisin në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë, në qytetin e Flamurit në Vlorë.
“Gëzuar të gjithëve festën e Flamurit, ditën e Pavarësisë. Sot nisim një hap të ri me një mik të mirë, një personalitet i cili me veprat e tij e ka çuar emrin në shumë vende të botës dhe çmohet prej popujve dhe prej shumë njerëzve për ato që ka bërë . E falenderoj shumë bacën Behgjet ,sepse kjo për të ardhur deri këtu në këtë ditë ka qenë më e vështira dhe për dreq qëlloi të ishte një punë që duhej bërë në Vlorë dhe mu desh të përballoja dhe gjithë padurimin e vlonjatëve , se ata janë kampionë për këtë gjë. Nuk ishte e thënë që ky proces të ishte fjollë, se për dreq na u fut në mes dhe pandemia, por ne nuk reshtëm së bëri përpjekje deri sa gjërat erdhën aty ku duhen. Derisa sa erdhi Baca Behgjet. Sot ne jemi këtu jo vetëm me konsorciumin e krijuar nga Baca po dhe me një aleancë me aeroportin e Mynyhut”, u shpreh Rama
“Është fantastike që aeroporti i Mynuhut vjen në Vlorë e cila garanton jo vetëm një menaxhim të nivelit më të lartë por dhe atë sinergjinë me struktura të tjera, se aeroportet janë si klane familjare sepse nuk mjafton të bësh një infrastrukturë të bukur, por duhet edhe të kesh aleanca që të menaxhosh një numër të madh pasagjerësh. Ky aeroport bëhet porta e tretë, ndër 4 nga qielli që ne duam të hapim, se e 4 është aeroporti sezonal i Sarandës, që do funksionojë në mbështetje të sezonit të pikut. Prandaj ne na duhen 4 aeroporte, se mbase pas 20 vitesh mund të na duhen më shumë” ka thënë Rama.
“Të gjithë turistët janë të mirëseardhur, por tjetër është turisti që konsumon pak dhe tjetër ai që konsumon shumë. Dhe nga turisti që konsumon shumë, përfiton biznesi në vend. Atyre që thonë se duhet të mbarojmë rrugët e fshatrave, unë u them që jam dakord, por këto mbarohen duke rritur të ardhurat në dispozicion, që rriten nëpërmjet veprimtarive të tjera. i gjithi është një zinxhir”, tha Rama.
“Nuk duhet të shqetësohemi kur ndërtohen aeroporte dhe porte, pasi këto rrisin fuqinë e motorit të ekonomisë sonë. Tani do të fokusohemi te porti turistik në Vlorë, triportin, portin e ri turistik të Durrësit, portin e ri tregtar të Durrësit, portin turistik të Sarandës, po punojmë edhe për portin ekzistues të Sarandës dhe portin turistik të Shëngjinit. Të gjitha këto janë në proces dhe besoj që në një pjesë të madhe do t’i shikojmë të realizuar brenda mandatit të tretë”, shtoi kryeministri Edi Rama.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.