Niveli i çmimeve në Britani – Qëndron në 2.3% në Mars, ndikojnë çmimet e naftës
Niveli i çmimeve në Britani mbeti i pandryshuar në muajin mars, pjesërisht prej rënies së çmimeve globale të naftës, megjithatë tkurrja e fuqisë blerëse te ekonomitë familjare pritet të rifillojë së shpejti.
Çmimet e konsumit u rritën me 2.3% në muajin Mars me bazë vjetore, tregon Zyra Kombëtare e Statistikave, shifër në linjë me projeksionet e analistëve dhe e pandryshuar nga muaji Shkurt.
Inflacioni në Britani është rritur gjatë muajve të fundit, nxitur nga paundi i zhvlerësuar dhe rritja e çmimeve të energjisë. Ndërkohë që pagat janë rritur në të njëjtën normë apo më ulët se niveli i çmimeve, ekonomitë familjare po përballen me tkurrje të të ardhurave.
Të dhënat e Zyrës së Statistikave treguan se çmimet e produkteve ushqimore u rritën me një normë vjetore prej 1.2% për muajin Mars, që është norma më e lartë në 3 vite.
Shumica e politikëbërësve të Bankës së Anglisë kanë thënë se nuk e shohin me urgjencë rritjen e normave të interesit, pavarësisht se e projektojnë inflacionin në 2.8% këtë vit.
Inflacioni në Mars është përmbajtur edhe nga udhëtimet më të pakta ajrore, që bëjnë kontrast me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Ekonomistët thonë se ndikimi i rënies së sterlinës do të vazhdojë të ndihet në muajt që vijnë.
Përveç uljes së çmimeve të karburantit për konsumatorët, rënia e çmimeve ndërkombëtare të naftës ka sjellë një rënie të kostove në fabrika. Çmimet e output-it u rritën me 3.6% me bazë vjetore në Mars, nivel më i ulët se Shkurti, megjithatë sipër projeksioneve prej 3.3%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.