Niveli i përdorimit të euros – Në Shqipëri 10% mbi nivelin e rekomanduar nga FMN

Shqipëria është larg nivelit optimal, ose nivelit referencë të projektuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar sa i përket nivelit të euroizimit që duhet të ketë ekonomia shqiptare. Distanca me nivelin referencë, sipas FMN, fiksohet në 10%.
Niveli optimal i euroizimit të ekonomisë nuk është realisht i matshëm, por fondi ka krijuar një model të posaçëm për vendin tonë, duke arritur edhe në këtë përfundim.
Niveli i përdorimit të euros në një ekonomi, sidomos në vendet kandidate për t`u anëtarësuar në Bashkimin Europian nuk duhet te jetë zero, por as kaq i lartë sa ç`është në këto vende. Këto përfundime bëhen në një studim të publikuar së fundmi, me titull: “Shtysat e euroizimit dhe përgjigja efektive e politikbërësve; Një aplikim i rastit të Shqipërisë”.
Studimi do të shërbejë si kornizë për të orientuar politikat e autoriteteve shqiptare në këtë drejtim dhe është financuar nga qeveria zvicerane.
“Niveli i euroizimit në ekonominë shqiptare po rritet dhe po i largohet edhe më tej nivelit referencë të projektuar nga ky model, çka tregon se duhen marrë masa për të ndaluar dhe zhbërë këtë trend euroizimi të ekonomisë”, thuhet në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.