Një 82 vjeçar ministër financash në Itali?! Kush janë emrat e qeverisë së re dhe postet që mund të marrin liderët e koalicionit
Një ditë më parë, presidenti italian mandatoi kryeministrin Conte për të formuar qeverinë e re. Tashmë po zhvillohen diskutime për përbërjen e kabinetit qeveritar. “ILsole24ore” ka publikuar një listë me kandidatët e mundshëm për anëtarë të kabinetit të ri qeveritar të koalicionit të pzzakontë Lega Nord e Lëvizja 5 Yje.
Ministër i Infrastrukturës: Giancarlo Giorgetti
Fillimisht është përfolur si ministër i Ekonomisë por mund të përfundojë si ministër i Infrastrukturës. Nga viti 2008 deri në vitin 2013 ka drejtuar komisionin e bilancit në Dhomë. Më parë, është përzgjedhur nga presidenti Napolitano si pjesë e grupit të “10 të urtëve” për realizimin e reformave institucionale e ekonomike.
Ministër i Brendshëm: Matteo Salvini
Lideri i Lega-s Matteo Salvini mund të shkojë te Ministria e Brendshme, me objektivin për të kontrolluar politikën e emigracionit. Senator dhe eurodeputet, nga dhjetori i 2013 është sekretar federal i Lega Nord, parti në të cilën është anëatrësuar në vitin 1990.
Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Punës: Luigi Di Maio
Lideri i Lëvizjes 5 Yje mund të marrë detyrën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, që do t’i bashkangjisë edhe dikasterin e Punës. Ka qenë gjithnjë kandidat për kryeministër i përzgjedhur nga drejtuesit e mëparshëm të Lëvizjes, Grillo e Casaleggio. Në shtator të vitit 2017 është “kurorëzuar” drejtues i Lëvizjes pa rivalë me peshë. Studime të ndërprera, fillimisht inxhinieri e më pas juridik, gjithnjë me xhaketë e kravatë, i rritur në Pomigliano D’Arco, është zgjedhur zëvëndëspresident i Dhomës sa kishte mbushur 26 vjeç.
Ministër i Ekonomisë dhe Financave: Paolo Savona
Është e panjohura kryesore e qeverisë së re italiane. Salvini këmbëngul për t’i dorëzuar drejtimin e Thesarit ekonomistit Paolo Savona, qëndrimet e të cilit ndaj BE-së ngjallin jo pak shqetësime. 82 vjeçari ka një të shkuar në Banca d’Italia, ka qenë ministër i Industrisë. Nuk mund të konsiderohet euroskeptik por si një që kërkon një Europë më të përgjegjshme.
Ministër i Jashtëm: Zgjedhje mes Massolo, Moavero Milanesi e Di Maio
Për kolltukun e ministrit të Jashtëm përballja mbetet e hapur. Prej dy ditësh emri që përflitet është i Giampiero Massolos. Po përfliten gjithashtu edhe Enzo Moavero Milanesi e madje edhe vetë Di Maio.
Sa i përket Massolos, ai i ka ngjitur shkallët e karrierës brenda ministrisë së Jashtme çka e favorizon në këtë garë.
Ministër i Drejtësisë: Alfonso Bonafede
Krahu i djathtë i besuar i Luigi Di Maio. Avokat, i zgjedhur në vitin 2013 dhe është konsideruar gjithnjë eksperti i drejtësisë për Lëvizjen 5 Yje
Marrëdhëniet me Parlamentin: Giulia Bongiorno
Bongiorno, palermitane, avokate penaliste, në moshën 27 vjeçare u bë pjesë e ekipit të juristëve mbrojtës të Giulio Andreottit në procesin ku akuzohej për lidhje mafioze.
Ministre e Mbrojtjes: Elisabetta Trenta
Është thuajse e sigurtë se Elisabetta Trenta, eksperte e docente universitare e sigurisë dhe inteligjencës do të marrë detyrën e ministres së Mbrojtjes. Gjithsesi si alternativë përflitet edhe ambasadori Pasquale Salzano.
Ministër i Arsimit: Vincenzo Spadafora
Konsiderohet eminenca gri e Luigi Di Maios.
Ministre e Administrimit Publik: Laura Castelli
E diplomuar për ekonomi, është për herë të dytë deputete e Lëvizjes 5 Yje.
Ministër i Turizmit: Gian Marco Centinaio
Kreu i grupit të Lega-s në Senat, drejtor tregtar i një “tour operator-i” është në krye të listës për marrjen e këtij dikasteri.
Ministër i Bujqësisë: Nicola Molteni
Konsiderohet një ministri kyçe për Lega-n ndaj edhe mund ta marrë ai këtë dikaster.
Ilsole24ore/Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.