Një fundjavë në fshatin e bukur të Nartës dhe Zvërnecit – Tradita të veçanta që tërheqin vëmendje
Vetëm 5 km larg qytetit të Vlorës gjendet fshati i bukur i Nartës.
Narta është një fshat i vogël me vetëm 2000 banorë por me shumë të veçanta. Bukuritë natyrore, pylli i paprekur, plazhi në të cilin nuk gjendet asnjë ndërtim, traditat e tyre, por edhe vera e fshatit janë ato që kanë tërhequr vëmendjen e gjithkujt që ka patur shansin ta vizitojë.
Nartiotët thuhet të jenë me prejardhje greke, kjo është dhe arsyeja pse në fshat fliten të dyja gjuhët, greqishtja dhe shqipja.
Banorët e këtij fshati janë të gjithë të pajisur me pasaporta greke, dhe një pjesë e mirë e tyre vazhdojnë të kenë lidhje të forta me Greqinë, por ata e preferojnë fshatin e tyre dhe një kanë zgjedhur të mos e braktisin kurrë atë, kjo është dhe arsyeja pse në Nartë është shumë e vështirë të gjesh një shtëpi në shitje. Edhe nëse banorët kanë emigruar ata nuk i shesin shtëpitë e tyre sepse e konsiderojnë Nartën fshatin e gjithë të mirave.
Në këtë fshat të gjithë dinë greqisht, ndoshta një greqishte pak arkaike dhe në disa momente disi e shqipëruar por e trashëguar gojarisht brez pas brezi.
Gjatë muajve të dimrit në fshat mbizotëron qetësia. E vetmja gjë që ndihet në rrugicat e vogla janë oxhaqet e shtëpizave të cilat nuk pushojnë asnjë moment.
Por gjatë muajve të verës, dhe gjatë festave të ndryshme, situata ndryshon, të gjithë kthehen në shtëpitë e tyre dhe fshati gumëzhin nga njerëzit e shumtë.
Fshati i Nartës, është i njohur jo vetëm për bukuritë natyrore dhe traditat por edhe për verën e mirë dhe tavernat që shërbejnë gatime të mrekullueshme me prodhime deti.
Kohët e fundit tavernat e Nartës janë bërë të njohura jo vetëm në mbarë Shqipërinë por dhe nga turistët e huaj, por për fat të keq e vetmja gjë që i sjell turistët në këtë fshat të mrekullueshëm janë këto taverna pasi infrastruktura dhe akomodimi për të kaluar një apo dy net mungon.
Vendi i vetëm ku turistët mund të gjejnë strehim është Zvërneci.
Zvërneci është fare pranë Nartës dhe gjithashtu ka disa vende të veçanta për t’u vizituar. Një ndër to është Manastiri i Zvërnecit.
Ky Manastir ndodhet disi i spostuar në një nga ishujt e lagunës të Nartës në mënyrë që në kohët e lashta murgjit të ishin sa më larg jetës së përditshme pasi detyra e tyre ishte t’i luteshin zotit.
Tashmë ky manastir është i hapur për të gjithë ata që kanë dëshirë ta vizitojnë. Ka dy mënyra për të shkuar, njëra është përmes një ure të gjatë dhe tjetra me anë të varkës.
Përveç vendeve të bukura deh interesante që ndodhen në Nartë dhe Zvërnec, në fshatin e Nartës do të gjeni edhe tradita praktikohet në asnjë krahinë në Shqipëri është edhe Festimi i Pashkëve dhe Karnavaleve.
Pak përpara mesnatës në pritje të Natës së madhe të Pashkëve, banorët e Nartës por edhe ata të zonave përreth mblidhen në qendër të fshatit përpara kishës dhe me qirinj në dorë presin me padurim ritualin. Ajo natë është mjaft e veçantë për banorët e fshatit të Nartës të cilët takojnë dhe urojnë njëri tjetrin në këtë ditë të madhe.
Më pas të gjithë kthehen në shtëpitë e tyre por nuk mbaron me kaq, ata në mesnatë presin për vizitë miqtë e tyre dhe festojnë me vezët e kuqe dhe bukët karakteristike të cilat gatuhen vetëm në ditën e Pashkëve.
Karnavalet janë gjithashtu një traditë e këtij fshati dhe festohen në ditën e Pashkëve.
Ato zgjasin plot tre ditë dhe simbolikë e kësaj feste janë maskat e ndryshme të cilat përdoren për të treguar një histori për të cilën mund të themi se është më shumë pagane se sa fetare.
Në këtë ditë i gjithë fshati mblidhet në shesh, përpara kishës së bukur të Nartës dhe shijojnë aktrimin e disa personazheve të zgjedhur nga fshati për të treguar historinë me maska.
Më pas të gjithë mblidhen kërcejnë e këndojnë derisa afron koha e drekës ku të gjithë mblidhen në sofrat e tyre për të ngrënë drekën e Pashkëve.
Narta është një fshat i cili është i përshtatshëm për t’u vizituar në çdo periudhë të vitit, edhe pse në verë është plazhi dhe ka mjaft aktivitete për të ofruar, në dimër do t’ju dhuronte një fundjavë të vërtetë qetësie.
V.Hydi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.