Një portofol i mbrojtur me Bitcoin. I vetmi aset që nuk ndikohet nga Trump, Brexit apo trazirat globale
Një tjetër aktiv është shtuar, vitet e fundit, për investitorët që kërkojnë mbrojtje në portofolet e tyre. Ndërkohë që metalet e çmuara, si ari janë parë prej kohësh si mbrojtës ndaj luhatjeve në tregjet e kapitalit, valuta digjitale, Bitcoin, arriti thuajse në të njëjtën vlerë me metalin e çmuar, në datën 4 Janar 2017. Kjo ishte hera e dytë që Bitcoin vlente më shumë se 1,000 dollarë, pas vitit 2013, ku ka shënuar nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 1147 dollarë, sipas të dhënave të “Coindesk“. Nëse dikush do ta konsideronte një valutë të mirëfilltë, atëherë do të ishte valuta me performancën më të mirë për vitin 2016. Gjatë vitit të kaluar, Bitcoin është rritur me 150% kundrejt dollarit amerikan. Kjo tregon një rritje të kërkesës për një alternativë tjetër, përveç parasë tradicionale. Megjithatë, pavarësisht rritjes së çmimit dhe profilit, Bitcoin nuk përbën ende një valutë të zakontë, pasi rrallë herë ka shënuar më shumë se 300 mijë transaksione ditore.
Bitcoin rritet në Kinë dhe Venezuelë
Numri i tregtarëve që pranojnë Bitcoin është rritur, por është ende shumë e vështirë për ta përdorur si një valutë bazë. Për arsye praktike, Bitcoin është i dobishëm për njerëzit që kërkojnë të kalojnë kufizimet vendase të valutës, si në Venezuelë apo Kinë. Sipas “Coin Dance”, mesatarja javore e volumit të tregtisë së Bitcoin, për vitin 2016, është katërfishuar në Venezuelë. Volumi i tregtisë për juanin kinez, valutë që përbën 97% të të gjithë tregtisë në Bitcoin, është dyfishuar që nga viti 2015. Megjithatë, kjo rritje nuk është thjesht për të thyer kufizimet e tregjeve të brendshme. Spekulatorët tashmë po e nxisin vlerën e valutës për shkak se për të parën herë që prej krijimit, po fillon të konsiderohet si një investim i qëndrueshëm dhe i sigurtë. Trazirat politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë i kanë treguar lojtarëve në tregje se modelet e tyre të vjetra nuk përbëjnë më parashikime të besueshme.
Kur rregullat fillojnë të shemben, Bitcoin, pavarësisht historisë së mashtrimeve, përdorimit për aktivitete kriminale dhe të metave të kushtueshme në sistem, po fillon të duket si një aktiv i sigurtë. Një portofol perfekt për periudhat e “panikut”, do të përbëhej nga DAX 30, që është indeksi i titujve të kapitalit në Gjermani, S&P 500, jeni japonez, ari, argjendi dhe Bitcoin. Të qënit i decentralizuar tregon se, Bitcoin nuk është pjesë e asnjë sistemi. Numri i valutave dixhitale në qarkullim drejtohet plotësisht nga veprimet matematikore. Kjo tregon se, Bitcoin është i mbrojtur nga Trump apo Brexit. Çfarëdo rreziku që shfaqet në horizont, Bitcoin nuk ka lidhje direkte, ndryshe nga ari. Valuta digjitale mbështetet vetëm nga “fati” i komunitetit që e mirëmban.
Çfarë e rrezikon Bitcoin
Por, në anën tjetër, padyshim që fati i këtyre “mirëmbajtësve” mund të jetë lehtësisht i cënueshëm. Në vitin 2013, Bitcoin ra nga nivelet maksimale, për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kinës, që ndaloi bankat e vendit për të pranuar valutën digjitale. Në atë kohë, kjo u reflektua si një paralajmërim për bankat e tjera qendrore. Megjithatë, tre vite kanë kaluar dhe nuk është ndërmarrë më asnjë masë tjetër. Përkundrazi, bankat qendrore po eksplorojnë teknologjinë “Blockchain” të Bitcoin, në mënyrë që të krijojnë valutat e tyre digjitale. Ka gjasa që në vitin 2017, Komisioni i Bursave dhe Letrave me Vlerë (SEC) në Shtetet e Bashkuara, të miratojë, për herë të parë, një fond të listuar në bursë (ETF) për Bitcoin, që është propozuar nga vëllezërit Winklevoss, sipërmarrës amerikanë të platformave në internet dhe shokë klase me Mark Zuckerberg, të cilin ata e kanë paditur për vjedhjen e idesë së tyre për rrjetin social, Facebook. Nëse Komisioni i Bursave dhe Letrave me Vlerë jep miratimin, njerëzit do të kenë mundësinë të tregtojnë Bitcoin, nëpërmjet kompanive ndërmjetëse të licencuara dhe jo në bursat e pasigurta të valutës digjitale. Si përfundim, nuk ka ndonjë kërcënim për Bitcoin nga rregullatorët dhe është i papërshkueshëm nga rreziqet e tjera të jashtme. Kinezët, në veçanti, e përdorin monedhën digjitale si një nga mbrojtësit e paktë kundër zhvlerësimit të juanit. Ndërsa juani humbet vlerë, dhe rregullatorët nuk paraqesin rrezik, Bitcoin nuk ka asnjë pengesë.
Klevis Llaha/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.