Një propozim i pazakontë! Çfarë kërkuan shqiptarët në fillim të 1900 nga industrialisti më i pasur në botë, Andrew Carnegie

Sir John Foster Fraser (13 qershor 1868 – 7 korrik 1936) ishte një autor udhëtimesh. Në korrik të 1896, sëbashku me 2 miq të tij mori iniciativën për të bërë xhiron e botës me biçikletë.

Në më shumë se 2 vite, ata udhëtuan përmes 17 shtetesh, duke kaluar në 3 kontinente.
Aventurën e tij ai do të hidhte në letër duke botuar librin “Përreth botës me biçikletë”. Veç shkrimit të librave, ai ishte gjithashtu edhe gazetar.
Në listën e librave të shumtë që përshkruajnë udhëtimet e tij është edhe një libër për vendet e Ballkanit, ku përfshihet edhe një pjesë për Shqipërinë.
Në librin e tij “Pictures from the Balkans” të botuar për herë të parë në vitin 1906, Fraser jep detaje interesante për Shqipërinë e atyre viteve e për jetën shoqërore ndërsa vendi ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane e nuk kishte shpallur akoma pavarësinë.
Në gamën e gjerë të përshkrimeve e të ngjarjeve, Fraser tregon edhe një histori interesante me një kërkesë të pazakontë që i vjen nga një mikpritës i tij në Elbasan. “Fama” e një industrialisti amerikan që ishte i njohur për bamirësinë e tij kishte arritur edhe në Shqipërinë e prapambetur të atyre viteve. Por ndryshe nga sa ishte natyra e bamirësisë që bënte industrialisti amerikan, shqiptarët kanë një kërkesë ndryshe e për këtë marrin një premtim nga udhëtari skocez.
Por çfarë natyre bamirësie do t’i kërkohej udhëtarit të famshëm? Atë e përshkruan vetë Fraser në librin e tij “Pictures from the Balkans (1906)”:

“Shumicën e kohës në Elbasan e kalova si mysafir i një zotërie të rëndësishëm në qytet, një burri të ri që veç turqishtes e shqipes, kishte njohuri të kufizuara edhe në italisht.
Ai nuk kishte qenë kurrë jashtë vendit, madje as në Itali. E vetmja gjë që ai dinte për Anglinë ishte se atje mund të bliheshin armë të mira. Zotërimi i një arme të prodhimit britanik ishte ambicia e jetës së tij. Sigurisht, anglezët ishin njerëz të mëdhenj, sepse ishin të pasur!
Pasi e sigurova atë se jo të gjithë ne ishim të pasur e se disa nga ne ishin shumë të varfër, ai papritur më pyeti :”Po Carnegie?”. Dhe ja ku ishte një zotëri në zemër të Shqipërisë së egër që dinte sikur zoti Carnegie ishte një person që shpenzonte shumicën e kohës së tij duke shkruar çeqe e duke ua thënë atyre që mund t’i dëshironin ato.
A e njihja unë zotin Carnegie? Jo. Nuk e kam pasur atë nder.
A mund të ndodhte që zoti Carnegie të vinte ndonjëhere në Elbasan? Ndoshta, por nuk mendoj se ka gjasa që kjo të ndodhë.
A flet zoti Carnegie turqisht? Ndoshta flet, edhe pse kam dyshime për këtë.
A nuk ishte zoti Carnegie një njeri që jep para….para dhe para..- dhe ai i hodhi krahët e tij si të tregonte milionat e panumërta të zotit Carnegie. Oh po!
Atëherë, nëse zoti Carnegie do të donte të ishte hero i popullit shqiptar, aq i madh sa Gladstone ose Byron, le të dërgojë 1 milion para te banorët e Elbasanit, në mënyrë që ata të mos kenë kurrë më nevojë të punojnë.
Iu përgjigja duke i thënë se ideja ishte e mirë, nëse zoti Carnegie do të mund të bindej për këtë.
Por pse jo në Elbasan si në çdo vend tjetër?
Unë me të vërtetë nuk di të them veçse ndoshta multimilioneri i Pittsburg ka qenë aq i zënë se nuk ka pasur kohë të mendoje për pretendimet modeste të Elbasanit mbi bujarinë e tij.
Për dy orë miku im shqiptar foli për z. Carnegie dhe detyrimin, sipas të cilit, siç dukej, që të dërgonte para në Elbasan. Biseda u përfundua vetëm kur unë bëra premtimin solemn se nëse do të takohesha ndonjëhere me zotin Carnegie unë do t’i shtroja para tij kërkesat e Elbasanit. Që në fakt unë do ta bëj…”
Kush ishte Andrew Carnegie, njeriu që shpërndau në bamirësi 90% të pasurisë?
Andrew Carnegie (25 nëntor 1835 – 11 gusht 1919) ishte një industrialist amerikan me origjinë nga Skocia. Ai udhëhoqi shtrirjen e industrisë amerikane të çelikut në fund të shekullit të 19-të dhe në atë periudhë konsiderohej si një nga njerëzit më të pasur në botë.
Krahas biznesit, ai do të njihej si një nga bamirësit më të mëdhenj. Në 18 vitet e fundit të jetës ai dha në bamirësi më shumë se 350 milion dollarë që arrinte thuajse 90 % të pasurisë së tij.
Carnegie lindi në Dunfermline të Skocisë dhe në vitin 1848 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1849, kur ishte ende i mitur, ai do të punësohej si postier në zyrën e Pittsburgut të kompanisë “Ohio Telegraph’ me një pagesë prej 2.5 dollarësh në javë.
Për shumë vite me radhë ai do të punonte shumë e ndërkohë do të lexonte duke rënë në sy për aftësitë e tij. Angazhimi i tij në një kompani hekurudhore dhe zhvillimi që mori sektori do të shënonte edhe nisjen e investimeve që do ta bënin atë një nga më të pasurit e botës.
Rritja e investimeve të tij dhe shitja e kompanisë së çelikut për 480 milion dollarë te JP. Morgan, do ta bënte atë amerikanin më të pasur në botë, duke ia kaluar për disa vite edhe John D. Rockefeller.
Ai ia kushtoi jetën e tij filantropisë në shkallë të gjerë, duke u fokusuar te paqja në botë, edukimi, libraritë, edukimi e kërkimi shkencor.
Kreshnik KUÇAJ/ SCAN (www.scan-tv.com)
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.