Një tjetër goditje për Trump, Gjykata e Apelit refuzon të rivendosë urdhërin

Gjykata e Apelit në SHBA ka refuzuar kërkesën nga Departamenti i Drejtësisë për të rivendosur urdhrin për emigrantët të Donald Trump që ndalon hyrjen e shtetasve nga 7 vende me shumicë myslimane.
Vendimi i gjykatës ka sjellë një tjetër pengesë për Presidentin, pasi një gjykatës federal në Uashington bllokoi urdhrin e tij ekzekutiv ditën e Premte. Në postime në Twitter, Trump ka insistuar se do ta rikthejë urdhërin. Presidenti thotë se kufizimet e përkohshme të qytetarëve nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Yemeni, janë të nevojshme për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga militantët islamikë.
Vendimi i gjykatësit në Uashington ka krijuar një oportunitet , që mund të jetë afatshkurtër , për udhëtuesit nga 7 vendet që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara ndërsa paqartësitë ligjore vazhdojnë. Gjykata e apelit bëri të ditur se kërkesa e Qeverisë për një pezullim të menjëhershëm të vendimit të gjykatësit në Uashington, është refuzuar.
Apelimi i Qeverisë tregon se vendimi i gjykatësit James Robart përbën një kërcënim për publikun, i kundërvihet zbatimit të një urdhri ekzekutiv dhe vë në pikëpyetje gjykimin e Presidentit në lidhje me sigurinë kombëtare.
Klevis Llaha/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.