Një tjetër linjë ajrore Zyrih – Tiranë, nisin fluturimet direkte nga 1 prilli 2019
“Shqipëria vlen për një udhëtim, në një mënyrë ose një tjetër. Bëhuni si një nga shumë shqiptarët që jetojnë në Zvicër dhe duan të kalojnë pushimet verore në atdheun e tyre. Si turist, i cili dëshiron të njohë një vend me një histori të trazuar, peizazhe spektakolare dhe plazhe të bukura në Adriatik me çmime të ulëta. Ose si një biznesmen – ekonomia e vendit ende ka shumë potencial zhvillimi”. Kështu e nis përshkrimin gazeta zvicerane Blick, ndërsa shkruan më tej se udhëtimi drejt vendit të shqiponjës dykrenare do të lehtësohet nga 1 prilli 2019.
Kompania ajrore me bazë në Zvicër “Edelweiss” do të nis fluturimet direkte Zyrih-Kloten drejt Tiranës.
“Problemi deri tani: Shqipëria është e vështirë për t’u arritur nga Zvicra. Nëse zgjidhni tokën, atëherë udhëtimi me autobus ose makinë merr shumë kohë. Edhe ata që marrin tragetin nga Italia, nuk arrijnë shpejt”.
Përveç kësaj, Edelweiss ka njoftuar se do të nisë fluturimet nga qyteti grek, Kallamata nga qershori 2019. Në total, rrjeti u rrugës ajrore të Edelweiss tani mbulon 70 destinacione në 34 vende.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.