Një tjetër sulm kibernetik i ngjashëm me “WannaCry” – Vë në dukje cënueshmërinë e firmave

Një sulm global kibernetik ka ndërprerë kompjuterat në kompaninë më të madhe të naftës në Rusi, bankat e Ukrainës dhe firma të tjera shumëkombëshe, me një virus të ngjashëm me atë të muajit të kaluar (WannaCry) , që infektoi më shumë se 300,000 kompjutera.
Zhvatja kibernetike që nisi ditën e Martë dhe që u zgjerua me hapa të shpejtë, vuri në dukje dështimin e bizneseve për të siguruar rrjetet e tyre. Virusi përfshinte kodin e njohur si “Eternal Blue”, për të cilin ekspertët e sigurisë kibernetike mendojnë se është vjedhur nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) në Shtetet e Bashkuara dhe që është përdorur edhe në sulmin e muajit të kaluar, të quajtur “WannaCry”.
Ekspertët theksuan gjithashtu cënueshmërinë ndaj këtyre sulmeve dhe se kompanitë nuk po i japin rëndësinë e duhur.
Virusi infektoi kompjuterat që operojnë me sistemin Windows, duke zotëruar të dhënat e tyre dhe kërkuar 300 dollarë në Bitcoin, për të rikthyer aksesin. Sipas Blockchain.info, që ofron të dhëna mbi transaksionet në Bitcoin, më shumë se 30 viktima kanë paguar.
Zëdhënësit e Microsoft thanë se do të marrin hapat e duhura për të mbrojtur konsumatorët.
Sulmet e para u raportuan në Rusi dhe Ukrainë, duke u përhapur shpejtë në vende të tjera përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Shtetet e Bashkuara.
Rosneft, një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë nga volumi, deklaroi se sistemet e kompanisë u përballën me pasoja serioze, por shtoi se operacionet e prodhimit nuk u ndikuan.
Zv/kryeministri i Ukrainës, Pavlo Rozenko tha se rrjeti i kompjuterave të Qeverisë u mbyll dhe Banka Qendrore raportoi ndërprerje të operacioneve te huadhënësit dhe firmat.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.