Një vit i mbarë për rajonin – Projeksionet e Institutit të Vienës, Shqipëria do përfitojë nga Eurozona
Ashtu si edhe një vit më parë, Instituti i Vienës për studime ekonomike ndërkombëtare ka publikuar 10 temat kryesore për vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore për vitin 2018.
Mes këtyre vendeve klasifikohet edhe Shqipëria. Në total bëhet fjalë për 20 shtete, një pjesë e konsiderueshme të të cilëve është anëtare e Bashkimit Europian.
Instituti i Vienës nënvizon se vendet e rajonit që përfitojnë më shumë dhe që do të vazhdojnë të përfitojnë edhe përgjatë këtij viti do të jenë ato që kanë marrëdhënie të forta tregtare me Gjermaninë.
Vendet e Ballkanit sidomos, nuk ngurron të nënvizojë Instituti i Vienës do të përfitojnë këtë vit nga bumi i ekonomisë së Europës perëndimore, sidomos ato vende që varen nga turizmi dhe nga remitancat.
Shqipëria është një ndër rastet konkrete të kësaj varësie të dyfishtë. Sa i përket rritjes ekonomike, ky grafik ilustron se Shqipëria është në mes të renditjes, por mbi të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pasi projekton një vit të mirë për të 20 vendet, Instituti i Vienës nënvizon se, kjo vlen më shumë për Ballkanin dhe Ukrainën. Edhe papunësia projektohet të vazhdojë të bjerë gjatë këtij viti.
Ballkani Perëndimor është më problematiku në rajon në këtë drejtim, siç e tregon edhe grafiku.
Sa i përket inflacionit, Instituti i Vienës saktëson se do të rritet, sidomos në Ballkan. Ndër rreziqet kryesore për rajonin, Instituti i Vienës nënvizon politikat monetare dhe lëvizjet e papritura të Bankës Qendrore Europiane apo Rezervës Federale që do të kenë ndikim të pashmangshëm në vendet e rajonit, sidomos ato që kanë nivel të lartë borxhi, kryesisht në dy valutat kryesore, Euro apo Dollar.
Një tjetër rrezik, dhe që do të vijojë të jetë problem gjatë vitit është edhe politika, thotë Instituti i Vienës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.