Një vit me COVID-19/ OKB shpall 27 Dhjetorin “Ditën Ndërkombëtare të Gatishmërisë Epidemike”
Pas një viti në betejën globale kundër koronavirusit, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara deklaroi të hënën se 27 Dhjetori do të jetë “Dita Ndërkombëtare e Gatishmërisë Epidemike” në një përpjekje për të siguruar mësimet e marra për çdo krizë shëndetësore në të ardhmen.
Virusi COVID-19 u shfaq në qytetin kinez të Wuhan në fund të vitit të kaluar dhe u përhap në të gjithë botën, duke infektuar deri më tani më shumë se 66 milion njerëz dhe vrarë rreth 1.5 milion. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e quajti atë një pandemi në mars, një deklaratë për të cilën Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët thanë se erdhi shumë vonë.
Asambleja e Përgjithshme me 193 anëtarë miratoi një rezolutë me konsensus të hënën që njeh nevojën “për të rritur nivelin e gatishmërisë në mënyrë që të kemi një përgjigje sa më të hershme dhe më adekuate ndaj çdo epidemie që mund të lindë”.
“Duke qenë se Asambleja e Përgjithshme ka deklaruar më parë ditë ndërkombëtare kushtuar shahut, yogës dhe tualeteve duket e drejtë që edhe epidemitë duhet të kenë ditën e tyre,” tha drejtori i Grupit Ndërkombëtar të Krizave U.N Richard Gowan.
Ai e përshkroi lëvizjen simbolike si një përpjekje nga Asambleja e Përgjithshme për t’u dukur e rëndësishme pasi “shumë shtete më të vogla dhe më të varfra shqetësohen se ata nuk do të kenë ndonjë pjesë në vendimet reale rreth vaksinës së koronavirusit ose shërimit.”
Rezoluta e KB thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe multilateralizmit. “Pandemia na kapi të pa përgatitur, por ajo gjithashtu ka shërbyer si një thirrje zgjimi për të përmirësuar gatishmërinë tonë,” tha Ambasadori i KB i Vietnamit Dang Dinh Quy ndërsa prezantoi rezolutën. “Ne besojmë se vëzhgimi i një Dite Ndërkombëtare mbi Gatishmërinë Epidemike do të jetë një mënyrë e spikatur për të arritur këtë qëllim.” (Reuters)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.