Njeriu më i pasur në botë – Themeluesi i Amazon Jeff Bezos “shkurorëzon” Bill Gates
Jeff Bezos, themeluesi i Amazon ka kaluar krijuesin e Microsoft, Bill Gates në renditjen e Forbes për njerëzit më të pasur në botë. Ky i fundit kishte mbajtur titullin si njeriu më i pasur në planet që nga viti 2013, por një rritje në çmimin e aksioneve të Amazon ka sjellë kapërcimin.
Amazon deklaroi fitime rekord, ndërsa vlera e kompanisë arriti në 500 miliardë dollarë dhe ndjek tashmë vetëm Apple, Google dhe Microsoft, por me ritëm rritjeje shumë më të shpejtë.
Kjo rritje e shtyu vlerën e pasurisë së llogaritur në Bezos në 91 miliardë dollarë, krahasuar me pasurinë e Gates prej 90 miliardë dollarë. Pasuria e tyre llogaritet në bazë të çmimit të aksioneve në kompanitë përkatëse.
Bezos ka lindur në Albuquerque në New Mexico në vitin 1964 dhe e ka përdorur pasurinë e tij deri më tani për të blerë ndër të tjera edhe Ëashington Post dhe për të investuar në udhëtimin hapësinor përmes Blue Origin.
Ai themeloi Amazon në vitin 1994, kur shiste libra nga garazhi i tij ne Seattle. Më pas ai e zgjeroi biznesin online së bashku me një sërë produktesh të tjera.
Sot në SHBA, 43% e të gjitha blerjeve online kryhen përmes Amazon. Kompania së fundmi bleu edhe Whole Foods, çka nënkupton se ajo synon të zgjerohet edhe në shitjen online të fruta-perimeve.
Në vitin e fundit, vlera e kompanisë është rritur me 40%, çka ka ndihmuar të ngrejë pasurinë e Bezos, i cili zotëron 17% të Amazon.
Bezos ka mundur gjatë këtij viti të kapërcejë edhe dy miliarderët e tjerë, investitorin Warren Buffet dhe Amancio Ortega, themeluesin e Zara.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.