Njoftimet nëpër urbanë për njohjen e aboneve pas 1 Gushtit – Policia Bashkiake: Të paautorizuara dhe të paligjshme

Policia Bashkiake i konsideron të paligjshme dhe të vendosura pa autorizimin e Bashkisë së Tiranës njoftimet e disa operatorëve të linjave urbane.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në fushën e transportit publik, policia njofton se ka hequr këto njoftime dhe ka marrë masat administrative përkatëse për përgjegjësit.
Në këtë mënyrë kundërshtohet pretendimi i linjave të transportit, sipas të cilave urbanët do të njihnin vetëm abonetë që plotësonin kushtet specifike.
Këto rregulla të kërkuara nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, përveçse do të krijonin radhë dhe procedura të panevojshme, do t’i mohonin të drejtën e përdorimit të abonesë anëtarëve të familjes, apo personave të tjerë të afërt.
Njoftimi i plotë shkruante:
“Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga data 1 Gusht 2017 e në vazhdim, në zbatim të nenit 10 të ligjit nr. 8308, datë 18.3.1998, abonoja përdoret vetëm nga personi i shënuar në këtë dokument. Me foton përkatëse (me përmasa 3x2x5), në të shënohen dhe emër, mbiemër, ditëlindje.
Cilido përdorues tjetër i abonesë NUK DO TË PRANOHET TË UDHËTOJË NË AUTOBUS PA BLERË BILETË UDHËTIMI”
Në disa linja kishte njoftime edhe sa i përket aboneve të studentit, ku njoftohej se do të njiheshin vetëm të shoqëruara me kartën e studentit dhe vërtetimin e rektoratit.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.