Normat e interesit, BSH: Depozitat të qëndrueshme, kreditë me ulje
Stimujt e Bankës Qendrore gjatë periudhës së parë të vitit kanë dhënë efekte pozitive. Kështu sipas Raportit të Politikës Monetare të këtij institucioni, për gjysmën e parë të vitit, normat e interesit për depozitat e reja në lekë janë shfaqur të qëndrueshme, pranë niveleve minimale të tyre.
Norma mesatare e interesit rezultoi 0.89%, nga 0.91% që shënonte mesatarisht në tremujorin e parë. Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë është reflektuar në kosto të ulët të financimit të aktivitetit bankar, duke mundësuar norma më të ulëta interesi të kredive për sektorin privat.
Norma mesatare e interesit për depozitat e reja në euro në këtë tremujor, prej 0.16%, ka rezultuar gjithashtu pranë nivelit mesatar të tremujorit të parë të vitit. Diferenca mes normave të interesit të depozitave në monedhën vendase dhe atyre në euro vijon të jetë minimale, rreth nivelit 0.7 pikë përqindje.
Po sipas këtij raporti, interesat për kredinë e re në lekë kanë regjistruar ulje në tremujorin e dytë të vitit, ku norma mesatare e interesit rezultoi 6.42%12, nga 7.23% që shënonte në tremujorin e parë.
Ato vijojnë të kenë luhatshmëri të lartë ndër muaj dhe të ndikohen nga kredi specifike, kryesisht në segmentin afatshkurtër, të dhëna nga banka të veçanta. Përtej kësaj luhatshmërie, ato karakterizohen nga një tendencë e lehtë rënëse, në reflektim të politikës monetare dhe të përcjelljes së saj në segmentet e tregut financiar.
Ecuria e normave të interesit është diktuar kryesisht nga tendenca rënëse e normave të interesit për kreditë për bizneset private, si për financimin e nevojave për likuiditet, ashtu edhe për financimin e investimeve.
Edhe individët kanë përfituar nga norma lehtësisht më të ulëta në tremujorin e dytë të vitit për financimin e konsumit dhe të blerjeve të pasurive të paluajtshme. Megjithatë, normat e interesit për kreditë hipotekare mbeten mbi nivelin më të ulët të tyre të shënuar në pjesën e dytë të vitit të kaluar.
Interesi mesatar për kredinë e re në euro rezultoi 4.69% në tremujorin e dytë të vitit, duke qëndruar pranë mesatares së tre tremujorëve paraardhës. Normat mesatare të interesit të kredisë për bizneset private janë ulur për kreditë për likuiditet dhe janë rritur për kreditë për investime.
Diferenca e normës mesatare të kredisë në lekë kundrejt asaj në euro ka ardhur në rënie në 6 mujorin e pare të vitit krahasuar me gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Ngushtimi i kësaj diference ka vazhduar të mbështesë zhvendosjen e strukturës së portofolit të kredisë, nga valuta drejt lekut.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.