“Nuk do mendojmë vetëm për Covid” / Javid: Janë shfaqur dhe probleme të tjera shëndetësore gjatë pandemisë
Ministri britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid, tha se bota nuk mund të mendojë më vetëm për Covid-19 dhe të injorojë gjendje të tjera kritike shëndetësore, problemet ekonomike dhe sfidat në edukim, që janë shfaqur gjatë pandemisë. “Nuk mund të jetojmë me një botë ku mendohet vetëm për Covid-19”- tha Javid, përmendur problemet e tjera dhe shtuar se duhet shfrytëzuar vaksina. Javid, që ka marrë detyrën së fundmi, tha se janë ngritur shumë probleme të tjera shëndetësore, përfshirë 7 milionë njerëz që nuk kanë kërkuar ndihmë gjatë pandemisë tek NHS, për gjendjet e tyre. Kryeministri Boris Johnson lajmëroi planet në nisje të Javës për t’i dhënë fund masave ekonomike dhe sociale të covid-19në Angli pas 2 javësh, çka do vërtetojë nëse vaksinimi i shpejtë do mbrojë mjaftueshëm nga varianti Delta. Pasi vendosi karantinën më të ashpër në Britani në një periudhë paqeje në histori, Johnson po synon tashmë që programi i vaksinimit të mund të parandalojë mbingarkimin e shërbimit shëndetësor nga një valë tjetër e Covid. Britania ka numrin e 7 më të lartë të vdekjeve në botë nga koronavirusi, dhe Johnson është akuzuar më parë se është treguar i ngadaltë për të vendosur secilën nga 3 karantinat në Angli. Megjithatë, vaksinimi në vend ka qenë i fortë, me 86% të të rriturve që kanë marrë 1 dozë dhe 64% me regjimin e plotë, sipas të dhënave qeveritare. Instituti i Shëndetit Publik ka treguar se vaksinat që përdoren atje janë tejet efektive në parandalimin e variantit Delta, veçanërisht pas 2 dozash.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.