Nuk justifikon dot pasurinë – Prokurorja e Shkodrës “ngec” në Vetting: “Kam lapsuse në deklaratë”
Prokurorja e Apelit të Shkodrës, Besa Nikëhasani, rrezikon të bëhet “viktima” e katërt e procesit të Vetting-ut. Ajo nuk justifikon dot pasurinë e përbërë prej një apartamenti me sipërfaqe 144 metra katrorë bashkë me dy garazhe me vlerë 90 mijë euro në Tiranë, një shtëpi bashkë me një njësi tregtare 150 metra katrorë në Shëngjin, si dhe një mjet Toytoa Land Cruiser i blerë 1950 euro.
Në relacionin lidhur me pasuritë e Nikëhasanit, relatorja e çështjes Genta Bungo tha se janë marrë dëshmitë e dy dëshmitarëve , ndërkohë që mospërputhjet më të mëdha kanë të bëjnë me mosdeklarimin e dy garazheve në Tiranë dhe veçanërisht me pronat në Lezhë, për të cilat prokurorja pretendoi se i ka këmbyer me një apartament prej 130 metrash katrorë, në pronësi të bashkëshortit të saj, por për të cilin nuk kishte dokument pronësie.
Nikëhasani u mbrojt duke shpjeguar se dy garazhet në Tiranë nuk janë vënë gabimisht në deklaratën e pasurisë, ndërkohë që ka deklaruar vlerën e plotë të saj prej 90 mijë eurosh. Lidhur me shtëpinë pre 130 metrash katrorë në Shëngjin, e cila ishte këmbyer më pas me apartament dhe me një dyqan 150 metra katrorë, Nikëhasani tha se ajo ishte blerë me paratë e fituara nga shitja e një shtëpie dhe një tokë bujqësore në pronësi të familjes së bashkëshortit të saj, ndërkohë që theksoi. se nuk kishin pasur kurrë certifikatë pronësie për apartamentin prej 130 metrash. Lidhur me mospërputhjet e tjera, të evidentuara ajo tha se ishin lapsuse të saj, për shkak të njohurive të kufizuara në përpilimin e deklaratës së pasurisë, ndërkohë që justifikoi me lapsus nga ana e noteres edhe të dhënat pasurore të përfituara nga familja e bashkëshortit.
Pasi mori me shkrim dhe gojë pretendimet e Prokurores së apelit Shkodër, Trupa Gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u tërhoq për të marrë vendim, i cili do të jepet të premten më 20 prill.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.