Nuk kualifikoheni për pension të plotë pleqërie? ISSH shpall kushtet për pension të reduktuar. Masa e përfitimit dhe periudhat e sigurimit
Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon kriteret e përfitimit të pensionit të reduktuar të pleqërisë.
Kualifikohen për përfitim të gjitha ata persona, të cilët kanë periudha sigurimi, tre vite para mbushjes së moshës për daljen në pension, si edhe ata që nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar.
Masa e pensionit të reduktuar
Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. “Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit është 0.6 % në muaj.
Shembull: Në qoftë se një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet 24.000 lekë, do t’i zbritet 12 % (që del nga prodhimi i 20 (muaj) që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 06 %, që është koeficienti i miratuar)”, thuhet në manualin e publikuar nga ISSH së fundmi.
Baza ligjore
Trajtimi me këtë lloj pensioni mbështetet në:
a) Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
b) Rregullore nr.1 datë 21.10.2008 “Për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve”, e ndryshuar.
Kushtet e përfitimit
Kushtet e përfitimit janë:
a) Personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension, sipas tabelës së mësipërme;
b) Nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.