Nuk ndalen blerjet e energjisë – Tjetër shpenzim për janarin, FTL kërkon 129 000 kwh
Furnizuesi i Tregut të Lirë, një nga kompanitë e krijuara nga ndarja e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka përfunduar një tjetër blerje energjie, me qëllim plotësimin e nevojave të pambuluara për muajin janar.
Në total FTL kërkoi të blejë 128 880 Kwh energji, ndërkohë që ndryshe nga praktikat e zakonshme raporti i përfundimit të procedurës së blerjes nuk është i aksesueshëm për publikun. Megjithatë, nëse i referohemi çmimit, me të cilin ky dikaster ka blerë energjinë gjatë janarit, që ishte rreth 72 euro/kwh, atëherë vlera e shpenzuar arrin në rreth 9 milion euro.
Kjo është blerja e tretë, që FTL bën për muajin janar, teksa në procedurat e mëparshme shpenzoi 12.5 milion euro. Mungesa e reshjeve të shiut nuk po favorizon aspak situatën e kompanisë, që për vitin 2019 parashikon një bilanc negativ, me një humbje të pritshme prej 7.7 miliard lekësh.
Kjo shënon dhe rezultatin e parë negativ pas 4 viteve, ndërkohë që rritja e kostos së blerjes së energjisë elektrike për shkak të thatësirës është edhe treguesi kryesor që ka ndikuar në humbjen e pritshme.
Kjo sipas OSHEE-së, pavarësisht masave të marra për uljen e kostove operacionale të shoqërisë. Megjithatë, mungesa e reshjeve të shiut dhe varësia në masën 95% nga burimet hidrike kanë nxjerrë edhe njëherë në pah domosdoshmërinë e diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, sikurse mund të jetë dielli apo era.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.