“Nxitje për sezonin turistik!” Vendimi, cilët shtetas do të hyjnë pa viza në Shqipëri deri më 15 Nëntor 2017?

Këshilli i Ministrave disa ditë më parë miratoi vendimin, i cili do të lejojë hyrjen pa viza të shtetasve nga disa vende për periudhën 31 Maj- 15 Nëntor 2017.
Në vendim thuhet se në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr. 108/2013, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave vendosi që në vendimit nr. 513, datë 13.6.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen shtesat si:
“Në “Lista e shteteve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa viza në Republikën e Shqipërisë dhe dokumenti që duhet të paraqesin” shtohen shtetet: “Rusia, Arabia Saudite, Bjellorusia, Gjeorgjia, Katari, Omani, me dokumentin pasaportë, për periudhën 31 maj – 15 nëntor 2017. Në “Lista e vendeve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa viza si rrjedhojë e hyrjes pa vizë në zonën Shengen” shtohet shteti “Moldavi, me dokumentin pasaportë”, thuhet në vendin, i cili ngarkon Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për zbatimin e tij.
Ky vendim nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së përfaqësive diplomatike në vendin tonë. Vetëm pak ditë më parë ky njoftim u publikua edhe në profilin e Facebook të Ambasadës së Rusisë ku thuhej: “Është miratuar Vendimi i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë Nr. 471, datë 30 maj 2017, për heqjen e vizave për shtetasit e disa vendeve, përfshirë këtu edhe Rusinë, për periudhën 31 maj – 15 nëntor 2017”, thuhet në statusin e FB të Ambasadës ruse.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.