Objektivat e ri të Kinës – Ul projeksionet për ekonominë në 6-6.5%. Premton masa të stimujve

Kina premtoi mbështetjen e ekonomisë nëpërmjet uljes së taksave dhe shpenzimeve në infrastrukturë, ndërkohë që dha objektivin e rritjes ekonomike më të ulët në 30 vite, për shkak të kërkesë së dobët brenda vendit dhe luftës tregtare me SHBA.
Kryeministri kinez, Li Keqiang tha se Kina ka caktuar objektiva të rritjes ekonomike prej 6-6.5%, poshtë normës prej 6.6% që rezultoi vitin e kaluar. Li paralajmëroi për sfidat që do të përballet ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe premtoi se do të ofrojë mbështetje nëpërmjet disa masave të stimujve.
“Objektivat tonë ekonomikë për vitin 2019 janë; një rritje ekonomike prej 6-6.5%, krijimi i më shumë se 11 milionë vendeve të reja të punës, një normë e papunësisë urbane prej 4.5% dhe rritja e inflacionit në rreth 3%” –tha Li Keqiang.
Kryeministri tha se politikat fiskale do të jenë më të forta, nëpërmjet uljes së taksave dhe tarifave për kompanitë që do të ketë një kosto prej 298.3 miliardë dollarë. Kjo masë është më agresive se ajo e vitit 2018 dhe përfshin lehtësi për sektorët e manifakturës, transportit dhe ndërtimit. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me normën më të ngadaltë që prej vitit 1990 për shkak të luftës tregtare dhe trajtimin e rreziqeve financiare, gjë që rriti kostot e huamarrjes dhe dëmtoi investimet.
Analistët thonë se metoda që përdor Pekini me adaptimin e një vargu të rritjes së PBB dhe jo një shifre të vetme, i jep hapësirë politikë bërësve për të manovruar. Fushata për të kufizuar ndotjen dhe industritë me vlerë të ulët, ka ngadalësuar gjithashtu sektorin gjigant të manifakturës në Kinë. Kryeministri tha se për të mbështetur rritjen ekonomike, Kina do të monitorojë punësimin në kompanitë eksportuese që varen nga tregu amerikan si dhe do të ulë tatimin mbi vlerën e shtuar për sektorin e manifakturës në 13% nga 16%.
Për sektorin e ndërtimit dhe transportit , taksa do të ulet në 9%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.