Objektivat për ekonominë franceze, Philippe: Projektohet një rritje me 1.6% këtë vit dhe 1.7% në tjetrin
Qeveria franceze projekton një rritje të Produktit të Brendshëm Bruto me 1.6% këtë vit dhe 1.7% në tjetrin, tha Kryeministri i ri i vendit Edouard Philippe.
Në intervistën e parë që kur u caktua nga presidenti Emmaqnuel Macron, Philippe tha se defiçiti publik do të arrijë në 2.7% në raport me PBB vitin që vjen.
Ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës parashikon edhe për këtë vit një defiçit poshtë 3%-shit, nga 3.4% që ishte në 2016.
Nëse Franca e arrin atë objektiv, atëherë do të respektonte për herë të parë limitin e BE që prej vitit 2007.
Muajin e kaluar, zyra publike e auditit zbuloi një hendek financiarë prej 8 miliardë euro në buxhetin e këtij viti, duke projektuar kështu një defiçit sipër rregullave të Bashkimit Europian përsëri.
“E kuptoj që Francës i duhet shumë punë për të rikthyer besueshmërinë ndaj buxhetit në terma afat-mesëm. Megjithatë, kemi një perspektivë të qartë për reformat strukturore”, tha Philippe.
Përpjekjet për kursimin do të materializohen nëpërmjet shkurtimeve në sektorin publik dhe një thjeshtëzimi të shtresave në administratën lokale, tha ai. Më herët gjatë javës, kryeministri premtoi shkurtime të shpenzimeve në 5 vitet e ardhshme.
Presidenti i ri Emmanuel Macron e cilëson uljen e defiçitit dhe borxhit të Francës si faktor kyç në kthimin e besimit te Gjermania. Philippe tha se niveli i borxhit publik, që qëndroi në 96.3% vitin e kaluar, do të bjerë me 5%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.