Obligacionet 2-vjeçare – Interesat i kthehen rritjes pas katër muajsh
Interesat e obligacioneve 2-vjeçare të qeverisë shqiptare u rritën lehtë në ankandin e muajit maj. Sipas Bankës së Shqipërisë, kuponi i obligacioneve, u rrit në 2.45%, nga 2.25% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Në ankandin e zhvilluar këtë javë, nga 5 miliardë lekë obligacione të shpallura nga Ministria e Financave, kërkesat e paraqitura në ankand u frenuan në vlerën e 4.86 miliardë lekëve. Në këtë mënyrë, edhe obligacionet ndjekin tendencën e bonove të thesarit, ku, pas një rënie prej rreth tre muajsh radhazi, interesat po regjistrojnë një lloj rritje të lehtë.
Në tremujorin e parë, u vërejt një kërkesë e lartë e tregut për instrumentet e borxhit qeveritar, çka reflektoi një sasi të lartë likuiditeti të lirë në treg. Por, në mesin e dytë të prillit dhe gjatë muajit maj, interesat u rritën lehtë, çka tregon se ato mund të jenë drejt stabilizimit, pas dy ciklesh të kundërta në harkun kohor të 6 muajve.
Tregu për momentin ka arritur një lloj ekuilibri. Kthimet nga investimi në instrumentet e borxhit të qeverisë janë vendosur në nivele proporcionale me normën bazë të interesit dhe me interesat e tjera në tregun financiar.
Ekspertët presin që interesat të qëndrojnë të ulëta edhe gjatë këtij viti, në ndjekje të politikës monetare lehtësuese. Kjo nënkupton kthime të ulëta nga investimi i kursimeve në produkte financiare, por, nga ana tjetër, interesa të ulëta për kreditë bankare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.