Obligacionet 2-vjeçare – Në ankandin e fundit yieldi arriti në kufijtë e 3%

Interesat e obligacioneve 2-vjeçare të qeverisë shqiptare kanë prekur kufijtë e 3%. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në ankandin e kësaj jave kuponi i obligacioneve arriti në 2.99%.
Nga 3.5 miliardë lekë obligacione të shpallura nga Ministria e Financave, në ankand u financua huamarrje në vlerën e rreth 3.25 miliardë lekëve.

Në gjysmën e dytë të vitit, kërkesa e tregut për instrumentet qeveritare, sidomos ato afatgjata, është disi më e ulët. Kjo po sjell një rritje graduale në normat e interesit.
Një ecuri e ngjashme është vërejtur edhe në interesat e bonove. Gjithsesi, rritja ka qenë e ngadaltë dhe në thelb nuk e ka prekur shumë ruajtjen e normave të ulëta të interesit në sistemin financiar.
Qeveria shqiptare edhe këtë vit po vijon në strategjinë e zgjatjes së maturitetit mesatar të borxhit të brendshëm, duke zëvendësuar gradualisht huamarrjen afatshkurtër me atë afatgjatë. Kjo ka sjellë një ofertë më të lartë të obligacioneve në tregun financiar.
Edhe në hyrje të tremujorit të fundit, ecuria e tregut të letrave me vlerë të qeverisë po ndjek pritshmëritë e ekspertëve, për një rritje të lehtë të normave të interesit. Gjasat janë që kjo rritje të vazhdojë deri në fund të vitit, në mungesë të ndërhyrjeve në treg nga Banka Qendrore.
Një faktor që mund ta frenonte rritjen e interesave do të ishte një rritje e mëtejshme e stimulit monetar nga Banka e Shqipërisë. Deri para pak muajsh, besohej se norma bazë kishte arritur pikën më të ulët në nivelin 1.25%. Por, në daljen e fundit para mediave, guvernatori Gent Sejko nuk përjashtoi një ulje të mëtejshme, për shkak të goditjeve të papritura të ofertës, që kanë sjellë ulje të inflacionit në tremujorin e tretë të vitit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.