Obligacionet e korporatave – “Credins” bën emetimin e radhës, së shpejti edhe “Iute Credit”
Huamarrja përmes letrave të borxhit po bëhet një praktikë gjithnjë e më e shpeshtë mes kompanive të rëndësishme shqiptare, çka dëshmon potenciale në rritje për funksionimin e një tregu të mirëfilltë të titujve.
Credins Bank është subjekti më aktiv në emetimin e obligacioneve me ofertë private. Në fund të muajit janar, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi prospektin për emetimin e obligacioneve të reja të Credins Bank, për një vlerë përkatësisht 1.5 milionë euro, 500 mijë dollarë amerikanë dhe 300 milionë lekë.
Obligacionet kanë maturim shtatë vjeçar dhe janë të konvertueshme në aksione të zakonshme të bankës.
Credins Bank ngelet subjekti më i rëndësishëm emetues i obligacioneve në tregun shqiptar, por nuk është i vetmi. Sipas bilancit të fundit zyrtar, atij të vitit 2016, vlera totale e obligacioneve të Credins bank ishte 5.2 miliardë lekë ose rreth 39 milionë euro.
Gjatë viteve të fundit, edhe Fondi Besa, institucioni financiar NOA dhe Balfin Group kanë aplikuar huamarrjen përmes letrave të borxhit. Së shpejti, një tjetër institucion financiar, kompania e mikrokredisë “Iute Credit” planifikon të emetojë borxh përmes shitjes së obligacioneve me ofertë private.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.