OBSH: ‘Omicron përhapet me një ritëm që nuk është parë me variantet e mëparshme’!

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se Omicron po “përhapet me një ritëm që nuk e kemi parë me asnjë variant të mëparshëm”, pasi i bëri thirrje botës të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
Duke folur në një konferencë për media, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha së vetëm vaksinat nuk do të nxjerrin asnjë vend nga kjo krizë. “Nuk janë vaksina në vend të maskave, distancimi, ajrimi apo higjiena e duarve. Bëni të gjitha. Bëjeni vazhdimisht. Bëje mirë.”
Ai theksoi edhe një herë pabarazinë e vaksinave, me shumë vende perëndimore që garojnë për të hapur fushata për nxitjen e vaksinave, ndërkohë që pjesa më e madhe e botës më të varfër ende nuk e ka marrë dozën e parë për një pjesë të madhe të popullsisë.
Ai theksoi se 41 vende ende nuk kanë arritur të vaksinojnë 10 për qind të popullsisë së tyre dhe 98 vende nuk e kanë arritur shifrën prej 40 për qind. Vendet në të gjithë Europën dhe pjesa tjetër e botës kanë miratuar kufizime të mëtejshme për të luftuar përhapjen e COVID-19, dhe veçanërisht variantin e ri Omicron.
Ai shtoi se OBSH ishte e shqetësuar që disa e konsideronin Omicron si më beninj se variantet e tjera.
Sipas Abdi Mahamud, menaxher i incidenteve në OBSH, përhapja e variantit është e tillë që mund të bëhet shumicë në disa vende europiane nga mesi i dhjetorit, kur ato ende po merren me ndikimin e valës së pestë të infeksionit të shkaktuar nga varianti Delta.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.