Oda Ekonomike: Buxheti 2018 ‘trimëron’ biznesin vendor, motivon investitorët e huaj
Pas miratimit të buxhetit për vitin 2018 ditën e martë në Kuvend, Oda Ekonomike E Kosovës ka bërë një analizë të buxhetit, ku ndër të tjera ka theksuar se qeveria ka bërë një punë të mirë, sa i përket sektorit privat shtresave sociale, shëndetësisë, arsimit dhe në përgjithësi për të mirën e vendit tonë.
“Në shikim të jashtëm, ende pa u mbushur dy muaj mandate të Qeverisë, futja në fuqi e rishikimit të Buxhetit 2017 finalizimi si dhe aprovimi në Qeveri i Buxhetit për vitin 2018 jo vetëm që ka trimëruar biznesin vendor por ka motivuar edhe investitorët e huaj me seriozitetin e treguar të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e OEK.
Sipas Odës Ekonomike për përmirësimin e klimës së biznesit në Kosovë, duhet që të sundoj rendi dhe ligji, gjë që deri më tani ka sjellë probleme në këtë sektor.
“Me buxhetin e vitit 2018 kjo është adresuar duke rritur buxhetin në këtë kategori në 246 milion euro për herë të parë në Kosovë. Kjo tregon seriozitetin dhe përkushtimin institucional të vendit tonë jo vetëm në mbrojte të së drejtës por edhe në motivimin e investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë duke përmirësuar perceptimin dhe imazhin e krijuar për ne”.
Qeveria në buxhetit ne vitit 2018 i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe arsimit, duke rritur buxhetin me 22 për qind.
“Pika tjetër që është adresuar për herë të parë në mënyrë argumentueses është arsimi për çka edhe është rritur buxheti prej 22 % për vitin e ardhshëm. Kjo është baza e zhvillimit jo vetëm e shoqërisë por që ndikon drejtpërdrejt edhe në zhvillim ekonomik të vendit dhe rritjen e atraktivitetit sektorial për tërheqjen e investitorëve të huaj”.
“Me pas ky buxhet i aprovuar me rritje të investimeve kapitale në infrastrukturë dhe rritjen e konkurreshmërisë në më shumë se 32 % krahasuar me buxhetin 2017, tregon që është buxhet shpresëdhënës për zhvillim ekonomik duke shtuar këtu edhe vendimet e ditëve të fundit për lirim nga tatimi doganor për lëndë të parë, gjysemprodukte, linja të prodhimit, pajisje të IT-së dhe lirimet nga akciza për mazut, naftë, gaz etj, që është një orientim institucional drejtë mbështetjes së sektorit privat e në veçanti rritjen e volumit prodhues dhe brendimin e produkteve “Made in Kosova”, përfundon OEK.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.