OECD paralajmëron Europën: Në fund të verës përgatituni për ‘shock’ ekonomik
Ekonomistja kryesore e OECD, Laurence Boone, pret që Europa Veriore të përjetojë një tronditje ekonomike, ndoshta deri në fund të verës. Kryesisht vendet me një politikë të tepricës fiskale, veçanërisht Gjermania dhe Holanda, “nuk po bëjnë mjaftueshëm” për sa i përket shpenzimeve, tha ajo për Financial Times.
Pikëpamja e saj u mbështet edhe nga Ministria e Ekonomisë së Gjermanisë të hënën, e cila konfirmon se ekonomia do të përjetojë një tremujor të dytë “të dobët”, por shprehu besim në një rimëkëmbje nëse “mjedisi i jashtëm gjen zgjidhje”. Por zgjidhja duket shumë e largët sipas Ministrisë Gjermane e cila vë fokusin tek perspektiva e një Brexit të çrregullt. Banka Qendrore Gjermane (Bundesbank) po projekton një rënie të prodhimit ekonomik në tremujorin e dytë.
Sipas Boone, Banka Qendrore Europiane (BQE) mund të bëjë më shumë për të nxitur ekonominë, por vetëm politika monetare nuk mjafton dhe veprimi është i nevojshëm për të mbështetur kërkesën. Ajo sugjeron investime në energji të qëndrueshme për të zëvendësuar qymyrin dhe energjinë bërthamore. Raporti vjetor i OECD i javës së kaluar bëri thirrje gjithashtu për investime masive në arsim dhe një zhvendosje të politikës tatimore nga të ardhurat në pronë.
Ish këshilltari i presidentit francez François Hollande vë në dukje rritjen e ngadalësuar të Kinës, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për ekonominë e orientuar nga eksporti të Europës. Stimujt e nxitur nga borxhi i Kinës mund të shkaktojnë paqëndrueshmëri të mëtejshme ekonomike, paralajmëroi ajo, duke i bërë thirrje BE të shpejtojë lëvizjet për të unifikuar tregjet e kapitalit.
Boone paralajmëron se BE duhet të luajë një rol më aktiv në profilizimin e investitorëve të huaj, për të siguruar që firmat globale t’i përmbahen politikave tregtare dhe rregullimit të BE-së, duke siguruar “peshë dhe fuqi të barabartë” në Kinë dhe në SHBA. (NewEurope)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.