OECD sheh fundin e krizës ekonomike. PBB botëror do rikthehet në nivelet e para-pandemisë në fund të vitit 2021
Perspektiva për ekonominë botërore po përmirësohet, pavarësisht valës së dytë të koronavirusit që po godet shumë vende, ndërkohë që ka patur lajme pozitive për vaksinën, sipas Organziatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Ekonomia botërore do të rritet me 4.2% vitin e ardhshëm dhe ngadalësohet në 3.7% në vitin 2022, ndërkohë që do të tkurret me 4.2% këtë vit, sipas Organizatës. Pas valës së dytë të infeksioneve në Europë dhe SHBA, Organizata në Paris shkurtoi projeksionet për Shtatorin, kur priste një tkurrje botërore prej 4.5% dhe një rimëkëmbje prej 5% vitin e ardhshëm.
Në total, Produkti i Brendshëm Bruto do të rikthehet në nivelet e pandemisë në fund të vitit 2021, nxitur nga një rimëkëmbje e fortë në Kinë. Megjithatë, kjo maskon përmasën e goditjes në vende të ndryshme, ndërkohë që shumë ekonomi pritet të qëndrojnë rreth 5% poshtë niveleve të para krizës, në vitin 2022. Kina do të jetë vendi i vetëm që mbulohet nga OECD që raporton rritje këtë vit, në 1.8%, të pandryshuar nga projeksionet e Shtatorit. Shtetet e Bashkuara dhe Europa pritet të kontribuojnë më pak tek rimëkëmbja. Pasi të tkurret me 3.7% këtë vit, ekonomia e SHBA do të rritet me 3.2% në vitin 2021 dhe 3.5% pas 2 vitesh, duke supozuar se arrihet një dakordësi për stimujt fiskalë. Eurozona pritet të tkurret me 7.5% këtë vit, me shumë vende që do ta mbyllin vitin në një recesion të dyfishtë. Eurozona do të rikthehet në rritje me 3.6% në vitin 2021 dhe 3.3% pas 2 vitesh, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.