OECD ul përsëri projeksionet – Ekonomia në nivelet e pas krizës prej luftës tregtare
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik bëri të ditur në raportin e fundit se pasiguria ndaj ekonomisë botërore është rritur dhe rreziqet janë shtuar. Perspektiva ekonomike është zbehur për vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim dhe rritja e Produktit të Brendshëm Bruto mund të “ngec” në nivele të ulëta, nëse nuk ka ndonjë reagim nga qeveritë.
Konfliktet tregtare po ndikojnë te besimi dhe investimet, duke shtuar rreziqet ndaj tregjeve financiarë. OECD uli projeksionet për ekonominë botërore në 2.9% në vitin 2019 dhe 3% në 2020-ën, që është norma më e dobët vjetore që prej krizës financiare.
Raporti i Organizatës mbulon të gjithë ekonomitë e G20 dhe përfshin ulje të projeksioneve nga raporti i muajit Maj për thuajse të gjithë vendet, veçanërisht për ato që varen nga tregtia. Ndër to, Gjermania, pritet të rritet me vetëm 0.5% në 2019-ën, ndjekur nga një normë prej 0.6% vitin e ardhshëm.
Organizata ka ulur projeksionet edhe për Shtetet e Bashkuara, në 2.4% këtë vit dhe 2% në tjetrin. Megjithatë, ndryshimi më i madh në projeksione ka qenë për vendet në zhvillim, që shihen si më të cënuara nga konfliktet tregtare.
Pasiguria vjen edhe nga koha dhe mënyra se si Britania do të dalë nga Bashkimi Europian, veçanërisht nëse kjo ndodh pa një marrëveshje tregtare, gjë që pritet të çojë ekonominë në recesion në 2020-ën dhe sjellë ndërprerje sektoriale në të gjithë Europën.
Rreziqe të tjera përfshijnë ngadalësimin e ekonomisë kineze si dhe luhatjet në tregjet financiarë nga niveli i lartë i borxhit dhe përkeqësimi i cilësisë së kreditit. OECD i bën thirrje bankave qendrore që të mos ndryshojnë politikat lehtësuese monetare dhe kërkoi gjithashtu mbështetjen nëpërmjet politikave fiskale dhe strukturore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.