OECD ul projeksionet për Botën – Paralajmëron për ndikimet e luftës tregtare dhe Brexit
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, uli përsëri projeksionet për ekonominë botërore në këtë vit edhe tjetrin dhe paralajmëroi se lufta tregtare dhe Brexit do të godasin tregtinë dhe bizneset.
OECD projektoi një rritje të ekonomisë botërore me 3.3% në vitin 2019 dhe 3.4% në 2020-n. Këto projeksione sjellin një ulje me 0.2% për këtë vit dhe 0.1% për tjetrin, krahasuar me projeksionet e muajit Nëntor.
“Pasiguria e madhe politike, tensionet tregtare dhe dëmtimi i ndjesisë së bizneseve dhe konsumatorëve, po sjellin këtë ngadalësim. Në Europë ka pasiguri të mëdha politike, përfshirë Brexit. Dalja e ç’rregullt do të rrisë kostot për ekonomitë europiane”, deklaroi Organizata.
Europa është penguar nga pasiguria e planit të daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, lufta tregtare mes Kinës dhe SHBA si dhe pika të tjera të dobëta si recesioni në Itali.
Për Gjermaninë, ekonominë më të madhe të Europës, Organizata përgjysmoi projeksionet për rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto në 0.7% nga 1.6% që priste më parë. Ekonomia gjermane e varur nga eksportet po ndikohet nga kërkesa e dobët botërore dhe rritja e barrierave tregtare.
Të dhënat e këtij muaji treguan se të ardhurat personale në SHBA ranë për të parën herë në më shumë se 3 vite, ndërsa shpenzimet konsumatore prekën nivelin e vitit 2009, duke bërë që ekonomia më e madhe në botë t’i afrohet një trajektoreje të rritjes së ngadaltë në tremujorin e parë.
Kina, ekonomia e dy të më e madhe në botë, ka treguar gjithashtu shenja të rritjes së ngadaltë.
Kina po përpiqet të mbështesë ekonominë nëpërmjet shkurtimeve tatimore dhe shpenzimeve në infrastrukturë që arrijnë vlerën e miliarda dollarëve, ndërkohë që rritja e Produktit të Brendshëm Bruto ka prekur nivelin më të ulët në 30 vite.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.