Ofertat e celularëve – Autoriteti i Konkurrencës kërkon transparencë

Autoriteti i Konkurrencës kërkon që operatorët celularë të publikojnë çmime për njësi në paketat ofertë të komunikimit. Në mbyllje të një hetimi paraprak, Autoriteti kërkon transparencë nga kompanitë, në mënyrë që përdoruesit të jenë në gjendje të krahasojnë përfitimet nga ofertat për secilën kompani.
Hetimi mori shkas nga disa lëvizje të bashkërenduara të tre kompanive më të mëdha celulare në dy vitet e fundit. Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom vitin e kaluar i ulën pothuajse njëkohësisht kohëzgjatjen e ofertave mujore në 28 ditë. Sipas Autoritetetit të konkurrencës, shkurtimi i kohëzgjatjes së ofertave ka sjellë një rritje me rreth 6.5% të shpenzimeve vjetore të konsumatorëve.
Ndërkohë, këtë vit, në të njëjtën mënyrë rritën çmimin për të njëjtin produkt në 1100 lekë, nga 1 mijë lekë.
Ndonëse nuk ka gjetur prova për marrëveshje të ndaluar, Autoriteti i Konkurrencës i ka kërkuar kompanive të publikojnë çmime për njësi. Vendosja e çmimit për njësi nënkupton që operatori duhet të saktësojë sa kushton çdo minutë, mesazh i shkruar apo megabyte internet brenda paketës ofertë.
Aktualisht, operatorët publikojnë çmimin total të paketës dhe numrin e njësive të komunikimit të përfshirë në të. Për t’i dhënë edhe forcë detyruese këtij rekomandimi, Autoriteti i Konkurrencës kërkon ndërhyrjen e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në cilësinë e rregullatorit të tregut.
Gjithashtu, nga AKEP kërkohet ndërhyrje për të rregulluar tarifat standarde të komunikimit. Siç dihet, tarifat standarde të komunkimit, ato që aplikohen nëse përdoruesi nuk blen paketat ofertë, janë shumë të larta.
Sipas shifrave të AKEP, çmimi që një përdorues celular ka paguar mesatarisht për një minutë thirrje telefonike nga rrjete celulare në vitin 2015 ishte 2.83 lekë/minutë, duke komunikuar pothuajse tërësisht përmes paketave.
Ndërkohë, tarifat standarde të thirrjeve jashtë paketave janë deri 14 herë më të larta se kjo vlerë mesatare. Kjo bën që pothuajse të gjithë përdoruesit me parapagesë të detyrohen të blejnë paketat ofertë, që mund të jenë njëjavore, dyjavore apo katërjavore.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.