Ofertë 15 mld euro, Generali në “shënjestrën” e Intesa Sanpaolo

Një shkrirje e mundshme mes Intesa Sanpaolo dhe Generali Assicurazzioni do të ridimensiononte industrinë financiare të Italisë, pasi bëhet fjalë për bankën e dytë më të madhe në vend dhe për kompaninë më të madhe të sigurimeve në vend. Vetë banka e ka pranuar se po vlerëson seriozisht idenë e shkrirjes.
Pak ditë më parë mediat italiane citonin zëra të ndryshëm që flisnin pikërisht për diçka të tillë. Generali nga ana tjetër vazhdon ta mohojë mundësinë. Qeveria italiane do ta bekonte marrëveshjen, pasi qëllimi i të gjithëve është që Generali të vijojë të mbetet italiane.
Intesa Sanpaolo po përgatit ofertën zyrtare, dhe mësohet se bëhet fjalë për 15 miliardë euro në total, nga të cilat 3 miliardë euro cash dhe 12 miliardë në formë aksionesh, për 60% të kompanisë. Generali ka një vlerë në treg prej 24 miliardë eurosh, më shumë se gjysma e kapitalizimit të bankës.
Ndërkohë që aksionet e Generali vijojnë të marshojnë në bursë, ato të Intesa Sanpaolo vijojnë rënien. Rregullatorët e tregut të aksioneve në Itali ndërkohë janë vënë në lëvizje, pasi shkrirja mes dy kompanive do të krijonte një gjigand të padiskutueshëm në tregun financiar. Prapa gjithçkaje mund të jetë vetë qeveria italiane. Ndërkohë, Allianz dhe Axa mbeten në gatishmëri, në rast se plani i Intesa Sanpaolo do të dështojë.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.