Ofertë e lirë nga jashtë – Çmimet e importit sërish në rënie
Produktet industriale të importit janë më të lira. Të dhënat e INSTAT treguan këtë javë se indeksi i çmimeve të importit ra me 1.7% në tremujorin e tretë, duke konfirmuar presione shumë të dobëta nga jashtë për inflacionin në vend. Ky ishte tremujor i dytë radhazi kur çmimet e importit u kthyen në territor rënës, duke përcaktuar edhe një goditje nga krahu i ofertës në ecurinë e çmimeve të konsumit në vend.
Rënia e çmimeve të importit ngelet kryesisht rrjedhojë e çmimeve të ulëta të lëndëve të para dhe kërkesës ende të brishtë në tregjet botërore. Në ekonominë shqiptare, kjo tendencë është përcjellë në çmime ndjeshëm më të lira importi në produktet e industrisë përpunuese, sidomos në segmentin e industrisë ushqimore, asaj plastike dhe farmaceutike. Rënia me 1.9% e çmimeve të industrisë përpunuese ka qenë vendimtare në tendencën e indeksit të çmime të importit.
Megjithëse çmimet e importit të energjisë elektrike janë rritur 7.3% me bazë vjetore, kjo nuk ka sjellë ndonjë impakt të rëndësishëm në rritje të indeksit agregat të çmimeve të importit. Veç të tjerash, energjia elektrike hyn në grupin e mallrave me çmime të administruara, ndaj shtrenjtimi i importit nuk ka ndonjë efekt të drejtpërdrejtë në çmimet e konsumit në vend. Një rritje modeste me 0.3% regjistruan edhe çmimet e importit në industrinë nxjerrëse.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.