OKB, apel Koresë së Veriut – Ethe lufte në paqësor, tensione Washington – Pyongyang

Organizata e Kombeve të Bashkuara dënoi rëndë veprimin e Koresë së Veriut që lëshoi një raketë balistike mbi qiellin e Japonisë për testime. Kombet e Bashkuara i kërkuan Pyongyangut që të ndalë programin e saj të armatimit.
Nga ana e saj, Korea e Veriut iu përgjigj se ky veprim ishte për t’i treguar dhëmbët Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Jugut, si dhe hapi i parë ushtarak në paqësor në drejtim të çështjes së territorit të Guam.
Agjencia koreano veriore e lajmeve lajmëroi gjithashtu se, më shumë teste të tjera do të vijnë, po në Paqësor. Pak ditë më parë, Pyongyangu paralajmëroi se do të lëshonte katër raketa përreth territorit të Guamit, që është një prej bazave më të mëdha ushtarake të shteteve të bashkuara. Me po të njëjtën gjuhë u përgjigj edhe presidenti amerikan.
Në deklaratën e kombeve të bashkuara ndërkohë, thuhet se është e një rëndësie jetike, që Korea e Veriut të ndërmarrë aksione për të ulur tensionet. Sa i përket sanksioneve të reja ndaj Koresë së Veriut, palët duket se nuk janë dakord mbi këtë çështje, sidomos Rusia dhe Kina.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.