OKB: Çmimet globale të ushqimeve arritën nivel rekord gjatë muajit mars!

Çmimet botërore të ushqimeve kërcyen me gati 13% në mars në një rekord të ri, pasi lufta në Ukrainë shkaktoi trazira në tregjet e drithërave bazë dhe vajrave ushqimorë, tha të premten agjencia e ushqimit e OKB-së. Indeksi i çmimeve të ushqimit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), i cili ndjek mallrat ushqimore më të tregtuara në nivel global, rezultoi mesatarisht 159.3 pikë muajin e kaluar kundrejt një 141.4 të rishikuar lart për shkurtin.
Shifra e shkurtit ishte vendosur më parë në 140.7, që ishte një rekord në atë kohë. Rusia dhe Ukraina janë eksportuesit kryesorë të grurit, misrit, elbit dhe vajit të lulediellit nëpërmjet Detit të Zi, dhe pushtimi gjashtë-javor i Moskës ndaj fqinjit të saj ka bllokuar eksportet ukrainase.
FAO muajin e kaluar tha se çmimet e ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë mund të rriten deri në 20% si rezultat i konfliktit në Ukrainë, duke rritur rrezikun e rritjes së kequshqyerjes. Indeksi i çmimeve të drithërave të agjencisë u rrit me 17% në mars në një nivel rekord ndërsa indeksi i vajit vegjetal u rrit me 23%, duke regjistruar gjithashtu leximin më të lartë deri më tani, tha FAO.
Ndërprerja e furnizimeve të të korrave nga rajoni i Detit të Zi ka përkeqësuar rritjen e çmimeve në mallrat ushqimore, të cilat tashmë ishin në nivelet më të larta të 10 viteve në indeksin e FAO-s para luftës në Ukrainë për shkak të problemeve globale të korrjes. Çmimet e sheqerit dhe të qumështit gjithashtu u rritën ndjeshëm muajin e kaluar, tha FAO.
Në vlerësimet e veçanta të ofertës dhe kërkesës për drithëra të premten, FAO uli projeksionin e saj të prodhimit botëror të grurit në 2022 në 784 milionë ton, nga 790 milionë muajin e kaluar, pasi faktorizoi mundësinë që të paktën 20% e sipërfaqes dimërore të Ukrainës nuk do të të korret. Vlerësimi i rishikuar i prodhimit global të grurit ishte megjithatë 1% mbi nivelin e një viti më parë, tha ai.
Agjencia uli projeksionin e saj të tregtisë globale të drithërave në vitin e marketingut 2021/22 pasi rritja e eksporteve nga Argjentina, India, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara pritej të kompensonin vetëm disa nga ndërprerjet në eksportet e Detit të Zi. Tregtia totale e drithërave në 2021/22 u rishikua me 14.6 milion ton nga perspektiva e mëparshme mujore në 469 milion ton, tani 2% nën nivelin 2020/21.
Rezervat e parashikuara botërore të drithërave në fund të 2021/22 u rishikuan me 15 milionë ton në afro 851 milionë tonë, kryesisht për shkak të pritjeve që ndërprerja e eksportit do të çojë në rezerva më të mëdha në Ukrainë dhe Rusi, shtoi FAO. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.