OKB fakton masakrën e pyjeve – “Shqipëria shpenzon vetëm 4 euro për ha, shpyllëzim masiv që prej 2000”
Shqipëria është vendi që harxhon më pak për menaxhimin e pyjeve mes atyre që prek Mesdheu, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, thotë një raport i sapopublikuar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, departamenti për Ushqim dhe Agrobujqësi. Ky raport vë në pah faktin se, Shqipëria shpenzon vetëm 4 euro për hektar, që është edhe shifra më e ulët mes vendeve të marra në analizë. Për të pasur një domethënie më të qartë të kësaj shifre, mjafton të themi se në vend të parë qëndron Qipro me 99 euro për hektar, ose thuajse 25 herë më shumë se vendi ynë.
Shpenzimet në fjalë janë vetëm për sektorin pyjor. Por, të dhënat ndërkohë tregojnë edhe një anë tjetër të medaljes. Paçka se, Shqipëria është vendi që shpenzon më pak për pyjet, nuk është vendi i fundit sa i përket të ardhurave që korr nga to. Janë 735 mijë euro që vlerësohet të jenë totali i të ardhurave. Të dhëna të tjera ndërkohë tregojnë një të dhënë tjetër alarmante, se Shqipëria është një prej tre vendeve që ka njohur normën më të lartë të shpyllëzimeve që prej vitit 2005, me një normë në 0.62%.
Vetëm Maroku dhe Portugalia raportojnë një rezultat më negativ se Shqipëria në këtë drejtim. Për të frenuar hapin e shpyllëzimit Organizata e Kombeve të Bashkuara, veç prerjeve të pyjeve, këshillon qeverinë shqiptare edhe që të ndalë shfrytëzimin e pyjeve për qëllime biznesi. Ndër të tjera thuhet edhe se, në Shqipëri mungojnë studimet në lidhje me këtë sektor. Por, raporti nuk ka vetëm të dhëna negative, pasi një tjetër e dhënë tregon e Shqipëria është mes atyre vendeve që ka njohur rritjen më të madhe të numrit të pemëve jashtë pyjeve, me rreth 50% që prej vitit 2000.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.